Bajram Gecaj, Zëvendës Ministër i Pushtetit Lokal. Foto: Atdhe Mulla

Bajram Gecaj: Gjykata Kushtetuese do të Vendosë për Çdo Gjë Rreth Dialogut

Zëvendës Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, tha sot se asnjëra nga palët në bisedime, dhe as Bashkimi Evropian si ndërmjetës në këtë proces mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund ta anashkalojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Komentet e Gecajt u bënë në konferencën në një konferencë të organizuar nga BIRN Kosova dhe Internews Kosova në të cilën është duke u publikuar raporti më i ri për ecurinë e zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne i kemi 3 nënshkrime shumë të rëndësishme që çojnë në vendim për implementimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. As ne as Brukseli e as Serbia nuk mund ta anashkalojnë atë vendim të Gjykates Kushtetuese”, tha Gecaj.

Ai madje paralajmëroi që çdo nënshkrim që Kosova do ta bëjë në Bruksel në kuadër të dialogut, do të referohet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.

“Ne i kemi disa korniza të qarta nga Gjykata Kushtetuese dhe do të bëjmë një ekip special sa i përket këtyre vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ne jemi të detyruar të respektojmë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese”, tha Gecaj.

Raporti i iniciativës BIG DEAL (Marrëveshja e Madhe) i titulluar “Truku i ngathtë: Pasiguri kushtetuese, jostabilitet politik dhe sundimi i ligjit në dialogun Kosovë-Serbi” shqyrton rrugën përpara për zbatimin e marrëveshjeve kryesore menjëherë pas vendimit të dhjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për parimet e përgjithshme të Bashkësisë/Asociacionit të komunave me shumicë serbe.