Avokatja: Po Gjykohet Personaliteti i Sekiraqës

Këtë fjalë sot pritet ta paraqesë mbrojtja e Enver Sekiraqës, të akuzuarit për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza.

Fjalën e tij përfundimtare prokurori i EULEX-it Andrew Carney e dha më 29 prill.

Carney gjatë fjalës së tij atë ditë Triumf Rizën e cilësoi polic të guximshëm që nuk donte ta shihte vendin të binte në duar të krimit të organizuar.

Prokurori Arben Berishën, të dënuarin për vrasjen e Rizës e konsideroi vetëm tërheqës të këmbëzës së armës që vrau ish-policin.

“Enver Sekiraqa e urdhëroi këtë vrasje dhe kjo shkaktoi edhe protesta masive. Arben Berisha kreu vrasjen dhe për këtë u dënua me 35 vjet, por prokuroria beson se Berisha ishte vetëm tërheqës i këmbës që vrau Rizën,” tha prokurori.

Por Kosovare Kelmendi, avokatja e Enver Sekiraqës tha se Arben Berisha është vrasësi i triumf Rizës.

“Ne e kuptojmë nevojën e familjes së të ndjerit për satisfaksion por vrasësi i Triumf Rizës ka një emër dhe ai është Arben Berisha, i dëbuar me dënim kapital,” tha Kelmendi.

Ajo fjalën e prokurorit megjithëse voluminoze e konsideroi boshe dhe pa prova direkte.

“Mbrojtja konsideron se gjatë afër dy vjetëve të procesit gjyqësor nuk është paraqitur asnjë provë e vetme direkte apo rrethanore se Enver Sekiraqa ka porositur, nxitur, apo urdhëruar vrasjen e Triumf Rizës,” tha Kelmendi.

Ajo konstatoi se në këtë proces po gjykohet personaliteti i Sekiraqës

“Mbrojtja konsideron se në këtë proces gjyqësor është gjykuar personaliteti i Sekiraqës dhe jo veprimet e tij inkriminuese, sepse këto veprime nuk kanë ekzistuar,” tha avokatja Kelmendi.

“Sekiraqa, i mirë apo i keq, ishte halë në sy e një grupacioni të njerëzve sepse ishte dëshmitar i një krimi të luftës dhe aty u gjend në vend dhe kohë të gabuar,” tha Kelmendi.

Prokurori Carney përmendjen e dëshmisë për krime lufte nga Sekiraqa prej mbrojtjes së tij e kishte cilësuar teori konspiracioni.

KALLXO.com shkroi për fjalën përfundimtare te Carney-ut.

http://kallxo.com/prokurori-triumfi-ishte-guximshem/

Avokatja përmendi edhe ish-prokuroren e EULEX-it Maria Bamieh që e kishte akuzuar një gjykatës të EULEX-it për marrje ryshfeti.

“Edhe prokurorja Maria Bamieh në rastin e shpërthimit në lokalin Sekiraqa me emër e mbiemër thotë se për vrasjen e Sekiraqës u paguan 300 mijë euro dhe për këtë nuk është gjykuar asnjëherë askush  sikurse as për rrahjen, plagosjet dhe tentim-vrasjet e shumta ndaj tij,” tha Kosovare Kelmendi.

Për akuzat e Maria Bamieh-ut, emisioni “Jeta në Kosovë” zhvilloi një intervistë në vitin 2014.

http://kallxo.com/rrefimi-i-prokurores-maria-bamieh-per-300-mije-eurot-e-dhena-te-gjykatesi-i-eulex-it/