Avokati: Ilir Tolaj Palë e Dëmtuar

Besnik Berisha, avokati i Ilir Tolajt që akuzohet për keqpërdorim detyre tha se të akuzuarit bashkë me Tolajn duhej të ishin palë e dëmtuar.

“Në një situatë normale ku do të kishte një ndjekje objektive dhe një vlerësim objektiv të provave klienti im zotëri Tolaj dhe të gjithë të tjerët këtu do të duhet të ishin në cilësinë e të dëmtuarit, posaçërisht për faktin se tani keni një palë fajtore si mashtrues i të gjithë këtyre këtu,” tha avokati Berisha.

Në procesin ku po gjykohen ish-sekretari i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë dhe pesë zyrtarë të kësaj ministrie u dha fjala fillestare.

Prokurori këtë fjalë e paraqiti të shkruar ndërsa në gjykatë i mbeti besnik aktakuzës.

Avokatët e të akuzuarve gjatë fjalës fillestare deklaruan se nuk ka prova dhe fakte  që vërtetojnë kryerjen e veprave për të cilat ngarkohen klientët e tyre.

Ish-sekretari i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Tolaj, bashkë me Bekim Fushën, Zenel Kuqin, Valentina Haxhijajn, Remzije Thaçin dhe Florije Tahirin  akuzohen për keqpërdorim të detyrës.

Pjesë e aktakuzës ishin edhe dy biznesmenë, Arion Lleshi e Shpend Agani.

Lleshi e Agani lidhën marrëveshje për pranim fajësie me prokurorin special, të cilën më pas e pranoi edhe gjykata.

Pas aprovimit të pranimit të fajësisë, gjykata i dënoi Lleshin e Aganin me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1,000 euro gjobë. Po ashtu, biznesmenët u obliguan që t’i kthejnë shtetit 400 mijë euro.

Tolaj u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave në seancën e 27 shkurtit.

http://kallxo.com/ilir-tolaj-deklarohet-i-pafajshem/