Foto KALLXO.com: Hilmi Jashari, Avokat i Popullit

Avokati i Popullit: Të deportuarve në Turqi iu shkelën të drejtat

Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë doli me një raport me rekomandime lidhur me deportimin e gjashtë gylenistëve për në Turqi javë më parë.

Sipas të gjeturave të Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari konsiderohet se deportimi i shtetasve turq u bë pa e konsideruar rrezikun që i kanoset atyre në shtetin amë.

“Pas grumbullimit të informatave dhe analizës së rastit, Avokati i Popullit konstatoi se në rastin në fjalë autoritet e Republikës së Kosovës duke i dëbuar shtetasit turq, ata i ekspozuan në rrezik real për t’iu nënshtruar torturës, keqtrajtimit fizik dhe  rrezikut real për shkelje serioze të të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të cilat janë pjesë e sistemit juridik të Republikës së Kosovës”, thuhet në raport.

Bazuar në këto konstatime, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë si në vijim:

“Me rastin e vlerësimit të statusit të të huajve në vendin tonë, të zbatohen me kujdes të gjitha garancitë dhe procedurat e garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventat ndërkombëtare, qoftë për dhënien e lejes së qëndrimit, largimit apo ekstradimit.

Ministria e Punëve të Brendshme të njoftojë shprehimisht personelin e saj lidhur me kompetencat kushtetuese dhe ligjore të Avokatit të Popullit sa i përket qasjes pa paralajmërim, në çdo vend dhe çdo kohë në vendet ku mbahen apo mund të mbahen personat e privuar nga liria.

Ndërsa Qeverisë së Republikës së Kosovës i ka rekomanduar që të akordojë kompensim të përshtatshëm jo-material si shprehje e vullnetit të mirë dhe njohje për shkeljet e të drejtave të njeriut në frymën e nenit 41 të KEDNJ.”

Emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’ sonte në orën 22:20, transmeton intervistën ekskluzive me Avokatin e Popullit, Hilmi Jashari.

Në këtë intervistë ai a dhënë detaje për raportin e hetimit të hartuar nga Institcionit i Avokatit të Popullit për deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova.

http://kallxo.com/prapaskenat-e-luftes-speciale-ndaj-gylenisteve/