Avokati i Popullit gjen shkelje të të drejtave të fëmijëve në Rregulloren për Parking të SHSKUK-së - VIDEO

Mirsad Aliu u detyrua që të paguajë parkingun në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kur dërgoi fëmijën e tij 2-muajsh për kontroll mjekësore.

“Vizita ishte gjithçka në rregull, por me të dalë nga oborri i QKUK-së, aty m’u pamundësua dalja pa e kryer pagesën (për parking) edhe pse e prezantova raportin mjekësor që arsyeja ishte vizita për fëmijën” – rrëfeu Aliu për KALLXO.com.

Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) e ka cilësuar një gjë të tillë si shkelje të të drejtave të fëmijës për qasje të plotë dhe falas në shërbime shëndetësore.

Ky konstatim u dha më 12 dhjetor pasi që Aliu u ankua në këtë institucion. Paraprakisht, ankesën e tij, ai e kishte dërguar në drejtorinë e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, nga i cili nuk mori përgjigje asnjëherë.

“Kam vendos se kam mendu që fëmija im po diskriminohet se ligji, Kushtetuta, konventat ndërkombëtare, të gjitha ia lejojnë një qasje në shërbime pa pagesë” – tha ai, i pyetur pse ka vendosur që ta bëjë këtë ankesë.

Drejtoria e ShSKUK-së i ka kthyer përgjigje Avokatit të Popullit duke thënë se vetëm fëmijët me diagnoza të caktuara sipas Rregullores për Shfrytëzimin e Parkingut në Hapësirat e ShSKUK-së/QKUK-së, e nxjerrë nga Bordi Drejtues i ShSKUK-së.

Avokati i Popullit ka analizuar këtë rregullore dhe ka konstatuar se ajo është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së Kosovës, Konventës për të Drejtat e Fëmijëve dhe Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.

“Me rregulloren në fjalë është vënë barrierë për të marrë fëmija shërbime të plota shëndetësore falas sipas ligjit, ngase prindërve u duhet të paguajnë parkingun në hapësirat e QKUK-së/ShSKUK-së. rrjedhimisht del se shërbimet shëndetësore për fëmijë nuk janë falas” – thuhet në konstatimin e Avokatit të Popullit.

Kjo shkresë i rekomandon ShSKUK-së plotësim/ndryshimin e kësaj rregulloreje, përkatësisht të nenit 7, i cili përcakton kategoritë që lirohen nga pagesa e parkingut, ku mes tjerash janë liruar pacientët e diagnostikuar me kancer, me dializë dhe me diabet të tipit 1.

Ky dokument citon edhe Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, neni 42 i të cilit thotë se “Fëmijës i garantohet e drejta për kujdes shëndetësor falas, përfitimi nga shërbimet për trajtimin e sëmundjes e për riaftësimin e shëndetit me standard të lartë”.

Tjetër shkelje e gjetur nga IAP ka qenë mospublikimi i rregullores në faqen zyrtare të ShSKUK-së, siç e përcakton Ligji për Qasje në Dokumente Publike.

Drejtoria e ShSKUK-së në një përgjigje për KALLXO.com tha se pas marrjes së rekomandimit, ka filluar plotësim/ndryshimi i rregullores.

“Do ta publikojmë në faqen zyrtare, posa të jetë e gatshme dhe të miratohet” – thuhet në këtë përgjigje.

Drejtoria shtoi se kjo rregullore ishte hartuar në vitin 2019, nga menaxhmenti paraprak.