Zhivojin Jokanoviq gjatë gjykimit të Gavriqit | Foto: KALLXO.com

Avokati: Gavriq u Dënua pa Arsyetim

“Jam që 42-43 vjet avokat, tërë kohën kam qenë në Prishtinë, para luftës, gjatë luftës e pas luftës, asnjëherë nuk e kam lëshuar [Prishtinën] dhe ky është vendimi i parë në të cilin nuk e kam dëgjuar asnjë fjalë të arsyetimit dhe as cilat rrethana janë marrë si rënduese e cilat si lehtësuese,” tha Jokanoviq.

Sllobodan Gavriq u dënua sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 13 vjet burg për përgatitjen e terrorizmit.

Jokanoviq tha se gjykata ra nën ndikimin e peshës së veprës për të cilën akuzohej Gavriqi.

“Gavriq u shpall fajtor. Çfarë të them për vendimin? Para së gjithash nëse kemi parasysh gjendjen në botë të mos them te ne, këto vepra kërcënojnë botën dhe sigurisht gjykata ishte nën ndikimin e kësaj klime kur shpalli dënim enorm të lartë,” tha Jokanoviq.

Avokati kontestoi edhe veprën penale për të cilën u dënua Gavriqi.

“Qëndrimi i mbrojtjes të cilin do të mundohemi ta paraqesim gjatë ankesës është këtu nuk bëhet fjalë për kryerjen e veprës penale përgatitje e aksioneve terroriste as për kurrfarë rrezikimi të territorit të Kosovës.  Bëhet fjalë për njeriun i cili ra në gjendje të vështirë dhe në njëfarë mënyre ekonomikisht të shantazhuar që ta kryejë këtë shërbim për të marrë kundërvlerën në para,” tha Jokanoviq.

Megjithatë, Jokanoviq gjatë deklaratës para gazetarëve pas dënimit të Gavriqit, nuk e konsideroi të pafajshëm të mbrojturin e tij.

“Ne nuk pretendojmë se ai është i pafajshëm, por edhe tash jam i bindur se elementet e veprës penale për të cilën u dënua nuk qëndrojnë që nuk do të thotë se nuk ka vepër penale, por jo tjetër, por vetëm veprën penale tregti e palejueshme me materie shpërthyese,” tha Jokanoviq.

Ai paralajmëroi ankesë në shkallët tjera të gjyqësorit, duke përmendur Gjykatën e Apelit dhe atë supreme.