ASHAK-u i ‘varfër’ me publikimet në gjuhën angleze

Gati të gjitha publikimet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në të gjitha seksioneve janë në gjuhën shqipe dhe nuk ka pothuajse asnjë publikim në gjuhën angleze.

Prej katër revistave të ASHAK-ut, e vetmja që ka dalë krejt në anglisht, “Acta Biologiae et Medicinae Experimentalis”, nuk del më që nga viti 1990.

Ky konstatim ka dalë nga raporti “Kriza në akademi”, i hartuar nga OJQ “Integra” me autor Shkëlzen Gashi.

Ndërkaq, sipas këtij raporti tri revistat e tjera, “Kërkime”, ‘Studime” dhe “Studime Shoqërore”, mbi 90% të punimeve të botuara i kanë të autorëve shqiptarë dhe vetëm në gjuhën shqipe. Për më tej, këto revista nuk kanë kode ndërkombëtare (nuk kanë ‘peer review’).

Raporti rekomandon se ASHAK-u, në të gjitha seksionet, do të duhej të botonte vetëm vepra kulminante dhe kryesisht në gjuhë të huaja, e sidomos në atë angleze, meqë, siç konstatohet aty, një nga qëllimet e këtij institucioni është ndërkombëtarizimi i shkencës dhe i artit të Kosovës.

“Revistat e ASHAK-ut do të duhej t’i botonin të paktën gjysmën e publikimeve të autorëve shqiptarë në gjuhën angleze. Për më shumë, revistat e ASHAK-ut duhet të pajisen me kode ndërkombëtare dhe të kenë patjetër ‘peer review’”, thuhet ndër të tjerash në raportin “Kriza në Akademi – Vlerësim i shoqërisë civile për akademinë e shkencave dhe të arteve”.

ASHAK nuk ka reaguar ndaj këtij raporti.