Artisti Turk Bën Thirrje për Nisje të Ëndrrave

Nën tingujt e muzikës tradicionale përzier me ritme elektronike të artistit Mercan Dede dhe grupit të tij, nisi java e xhazit turk në Prishtinë.

Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë ishte e stërmbushur. Me pak minuta vonesë nata nisi me fjalën përshëndetëse të ambsadores turke në Kosovë, Kivilcim Kiliç.

“Sonte nuk është natë fjalimesh, por natë muzike, kështu që po i bie shkurt: jam e lumtur që për pesë net do të kemi muzikantë eminentë. Sonte po e nisim me Mercan Dede, ai flet me muzikën e tij. Dëgjojeni dhe kënaquni,” tha ambasadorja.

E pas saj, i pari që pushtoi skenën ishte instrumentisti me kemence (instrument persian). Më pas para publikut dolën edhe tre anëtarët tjerë të grupit “Secret Tribe”, e i fundit u ngjit Dede.

Mes shumë duartrokitjesh për afër dy orë nën tingujt e ney-it apo flautës antike nga druri, së bashku me mjeshtrit e zither-it apo kitarës së vjetër, klarinetës, darabukës, defit dhe instrumenteve tjera orientale, ai dhe grupi i tij, krijuan një “gjuhë universale” të muzikës e cila bashkoi antikën me modernen, lindjen dhe perëndimin.

E befasia e mbrëmjes ishte dervishi fluturues. Në dy paraqitjet e tij në skenë, ai sillej/rrotullohej në një vend në më shumë se 10 minuta. Herën e parë ishte i veshur me fustanellë të bardhë e të dytën në të zezë.

xhaz

 

 

Këngën e fundit, Dede i cili jeton në Kanada, por ka prejadhje turke, ua kushtoi fëmijëve-shpresës për të ardhmen.

Pas përfundimit e përshëndetjeve, Dede dhe grupi i tij, u rikthyen prapë në skenë. Kësaj radhe publiku në këmbë e mes shumë duartrokitjesh përcolli pa u ndalë këngën e fundit të tyre.

Më pas, artisti i cili është edhe DJ, në prapaskenë foli për gazetarë. Duke u shprehur se në muzikën që bëjnë frymëzohen nga tregimet e njerëzve, Dede tha: “Meqë njerëzit pak dëgjojnë njëri-tjetrin, ne i dëgjojmë dhe inspirohemi nga ta”.

Tutje ai u shpreh se njerëzit zakonshëm bëjnë dy gabime: ose nuk i shtyjnë mjaftueshëm ëndrrat e tyre, ose nuk i nisin hiq.

Dede tha se do të kthehet prapë në Kosovë.

Java e xhazit turk do të zgjasë deri të shtunën. Në pesë net do të performojnë pesë grupe të ndryshme.

Veç Prishtinës, Gjakova do të jetë nikoqire e natës së tretë të këtij festivali.

“Turkish Jazz Week” përfundon të premten, ndërsa ky është edicioni i pestë i tij.