“Turkish Jazz Week” Ndërron Vend dhe Organizator

Në kuadër të edicionit të pestë të këtij festivali do mbahen 5 koncerte në Prishtinë, të cilat do të shfaqen nga 12 deri me 16 prill çdo natë në orën 20:00.

Festivali “Turkish Jazz Week” sivjet ka ardhur me prurje të reja të muzikantëve, mirëpo edhe me mënyrë të re të organizmit.

Ky festival i cili deri më tani është organizuar nga Ambasada e Turqisë në Kosovë sivjet do të organizohet nga Instituti “Yunus Emre”.

Drejtori i Institutit “Yunus Emre”, Rrahman Ademi tha se kjo është bërë për shkak se qëllimi kryesor i këtij festivali ndërlidhet me qëllimin e institucionit të cilin ai e drejton.

“Instituti ‘Yunus Emre’ misionin kryesor e ka promovimin e gjuhës dhe kulturës turke jashtë Turqisë dhe ne kuadër të këtij misioni Ambasada e Turqisë aktivitetet e tjera kulturore të cilat i ka organizuar më herët një nga një ka filluar t’ia transferojë institutit tonë,” tha ai.

Organizatori i festivalit Ertan Ilyaz sqaroi se arsyeja se pse festivali nuk do të fillojë ne Teatrin Kombëtar si çdo vit tjetër është mospërkrahja nga ky institucion.

“Çdo vit kemi përkrahje institucionale, mirëpo jo ndonjë përkrahje tjetër, bile kemi pasur problem sepse vitin e kaluar kemi bashkëpunuar edhe me Teatrin Kombëtar, por sivjet kemi pasur probleme sepse nuk kanë dashur që të na lëshojnë vendin, ku ne nuk kemi pasur mundësi me bo hapjen aty si çdo vjet,” sqaroi ai.

KALLXO.com kontaktoi edhe drejtorin e Teatrit Kombëtar Agim Sopi për ta pyetur se pse sivjet hapësirat e këtij objekti dhe institucioni nuk janë lëshuar për “Turkish Jazz Week”, por Sopi ishte i paarritshëm në telefon.

Organizatori shprehu dëshirën e tij që festivalin ta mbajnë edhe në pjesë të tjera të Kosovës dhe jo vetëm në Prishtinë duke e shndërruar në një “Internacional Jazz Festival”

“Sivjet vetëm në qytetin e Gjakovës kemi arritur, jemi munduar që ta realizojmë edhe në Prizren dhe qytete të tjera, por për shkak të problemeve teknike dhe problemeve të kohës së shkurtër nuk kemi mundur që të arrijmë,” tha ai.

Hapjen e festivalit do ta bëjë artisti Mercan Dede të martën në “Sallën e Kuqe” të Pallatit të Rinisë në Prishtinë për të vazhduar të mërkurën me Aydin Esen Trio me 13 prill.

Mercan Dede është një artist turk që aktivitetin e tij artistik e zhvillon edhe në Evropë e Amerikë. Edhe Aydin Esen Trio ka bërë paraqitje në vende të ndryshme të botës.

Nga Prishtina java e Jazzit do të vazhdojë në Gjakovë ku do të performojë Ernen Coșkunder Quarted në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”, për t’u kthyer përsëri në Prishtinë me 15 prill me Baki Duyarlar Kemen Jazz në Hotelin “Swiss Diamond”.

Mbyllja e festivalit do të bëhet aty edhe ky do të fillojë në “Sallën e Kuqe” të Pallatit të Rinisë me performacën e grupit “New York Gypsy All Stars”.

Në kuadër të këtij festivali do të këtë edhe surpriza të tjera të planifikuara nga organizatorët dhe performanca të artistëve shqiptarë emrat e të cilëve organizatorët kanë vendosur t’i mbajnë si befasi.