I arrestuari për dhunën në Parlamentin e Maqedonisë | Foto: RTV 21

Arrestohet Njëri nga ‘Maskat e Zeza’ të Kuvendit

Është arrestuar Mlladen Dodevski, njëri nga 5 të kërkuarit prej policisë për dhunën e shkaktuar në Kuvendin e Maqedonisë.

Më 4 janar MPB pati lëshuar fletarrestim ndërkombëtar për kërkimin e të akuzuarve me maska, të cilët dyshohen për veprën “cenim terrorist ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë”, ku më 27 prill turma e protestuesve demoloi godinën e Kuvendit dhe sulmoi fizikisht deputetët.

Nga MPB thonë se M.D. është arrestuar në orët e hershme të mëngjesit në Shkup dhe u dërgua në stacionin policor të Kisella Vodës.

Meqenëse, kishte procedurë të hapur nga Prokuroria Publike dhe shqiptim të masës së paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata Penale, Dodevski është dorëzuar në Qendrën e Paraburgimit të Shutkës.

Me akuzë të njëjtë, Gjykata Penale ka kërkuar paraburgim edhe për të dyshuarit Aleksandar Vasilevski-Ninxha, Nikolla Mitrevski-Kolo, Dejan Davidovski dhe Mitre Pitropovski, të cilët vazhdojnë të jenë të arratisur./21Media