Foto: Ilustrim

Arrestohen 3 persona, dyshohen për mashtrim me viza pune

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprën – mashtrim.

Sipas Policisë, të arrestuar janë 40 vjeçari V. Behrami, 29 vjeçari K. Lepaja dhe 29 vjeçari N. Lepaja.

Policia njofton se të arrestuarit dyshohet të jenë implikuar në veprën e mashtrimit, duke marrë nga viktimat mijëra euro, pasi u kishin premtuar se do t’ua  rregullojnë vizat e punës për vende të Bashkimit Europian.

“Mbështetur në rezultate e para të hetimit është ngritur dyshimi i arsyeshëm se ky mashtrim ka ndodhur në vazhdimësi për një periudhë  të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga ta arrin mbi 8 qytetarë të ndryshëm të cilët nuk kanë raportuar se janë mashtruar nga po të njëjtit persona”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje Policia ka sqaruar se pas arrestimit dhe marrjes së autorizimit nga ana e prokurorit, personat e dyshuar janë dërguar në qendrën rajonale të paraburgimit në Prishtinë, ku aktualisht hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale para se rasti të dërgohet në gjykatë.

“Ndërkohë që hetimi po vazhdon, për ta mundësuar dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të këtyre personave të dyshuar, policia fton të gjithë ata që janë viktimizuar nga ky mashtrim të paraqiten në stacionin më të afërt policor për denoncim”, thuhet në njoftim.