Objekti i Komunës së Ferizajt | Foto: KALLXO.com

Arrestime për Kërcënim të Rremë me Bombë në Ferizaj

Policia në Ferizaj bën me dije se arrestoi dy persona që mes vete janë vëllezër, ngase ata dyshohen se vendosën një pako të dyshimtë në afërsi të ndërtesës së Kuvendit komunal.

Sipas komunikatës së policisë, forcat e rendit në orën 7 e 30 të mëngjesit morën informatë për një mjet të dyshimtë të vendosur në sheshin kryesor të Ferizajt.

“Në këtë pako ishin shkruar shprehje si: ‘mos prek, bombë’, ‘rrezik për jetë’, ‘lajme ISIS’, etj”, njofton policia.

Në komunikatë tregohet se pakoja rezultoi të jetë kërcënim i rremë, pasi që Njësia Policore për Deminim gjeti brenda pakos vetëm mbeturina dhe ambalazhe të zbrazëta të mjeteve higjienike.

Policia më tutje shpjegon se si arriti të kapë të dyshuarit.

“Pas heqjes së pakos dhe zhbllokimit të vendit të ngjarjes, Njësitet  Hetimore të DRP-së në Ferizaj, pas një pune intensive në terren, bashkëpunimit me qytetarë dhe këqyrjes së incizimeve të kamerave të sigurisë, kanë arritur t’i identifikojnë dhe t’i arrestojnë dy persona të dyshuar-vëllezër, banues në Ferizaj.

Të arrestuarit janë Jeton G., 25 vjeç dhe Jetmir G., 21 vjeç që policia thotë se kanë pranuar veprën e kryer. Të dyve u është caktuar ndalimi policor për intervistim të mëtutjeshëm dhe zhvillim të procedurave hetimore.