Zbatimi i Ligjit të ri për trafikun në muajin e parë, Policia shqiptoi mbi 36 mijë gjoba

36 mijë e 427 gjoba janë shqiptuar nga Policia e Kosovës për shoferët të cilët kanë bërë kundërvajtjet në trafik, në muajin e parë të zbatimit të Ligjit të ri për rregullat e trafikut rrugor.

Gjithashtu, Policia njoftoi se janë konfiskuar 639 mjete të regjistruara gjatë periudhës një mujore, nga data 03.04.2024 deri me datë  03.05.2024.

“27, 003 gjoba janë shqiptuar për tejkalim të shpejtësisë, 4,548 për rrip të sigurisë, 2659 për përdorim të telefonit, 667 shoferë të hasur me masa mbrojtëse, 324 gjoba për tejkalim në vënde të ndaluara, 659 mjete të paregjistruara deri në 30 ditë, 317 mjete të paregjistruara mbi 30 ditë, 73 gjoba mospërdorimi i helmetës, 29 gjoba për garat ilegale të shpejtësisë, 27 gjoba për mosrespektim të drejtimit të troineteve, 45 gjoba për përdorim të alkoolit dhe 76 gjoba për fëmijët e ulur në ulësen e parë”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës apelon të gjithë pjesëmarrësit në trafik të respektojnë rregullat e trafikut për të kontribuar në sigurinë rrugore.

“Me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore, mbrojtjen e jetës dhe zhvillimin normal të rrjedhës së trafikut, Policia e Kosovës gjatë muajit të parë të implementimit të ligjit të ri të trafikut ka ndërmarrë fushata për vetëdijësimin dhe sensibilizimit e qytetarëve në respektim të rregullave dhe kontributit të përbashkët për parandalimin e aksidenteve në trafik”- thuhet tutje në njoftim.

Nga 03.04.2024 ka hyrë në fuqi Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, me anë të të cilit janë ashpërsuar gjobat për shkelësit e rregullave në komunikacion.

Hyn në fuqi Ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor, prej sot dënimet në komunikacion janë më të ashpra