Foto: ASHAK

Arkiva Shtetërore e Kosovës hapi dyert për vizitorë

Vizitorë të shumtë ka pritur gjatë ditës së sotme Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, të cilët kanë frekuentuar hapësirat e këtij institucioni.

Këto vizita janë mundësuar në kuadër të ‘Javës së arkivit të hapur’, që organizohet nga ASHAK-u me rastin e 68- të vjetorit të themelimit të Arkivit të Kosovës.

Nga sot deri të premten, më 29 mars 2019, dyert e ASHAK-ut do të jenë hapura për publikun me ç’rast të interesuarit kanë mundësi që të shohin për së afërmi punën dhe aktivitetet që bëhen në ambientet e këtij institucioni me qëllim të ruajtjes, mbrojtjes, prezantimit dhe përgatitjes për shfrytëzim të trashëgimisë së shkruar që posedon ASHAK.

Vendet që do të vizitohen gjatë kësaj jave nga të interesuarit do të jenë: Salla e leximit, Aplikimi dhe shërbimi në sallën e leximit; Rregullimi dhe përpunimi i lëndës arkivore; Laboratori i Restaurimit dhe Konzervimit; Laboratori i Mikrofilmimit dhe Digjitalizimit; Depo e ASHAK-së dhe Biblioteka.

Vizita nga qytetarët mund të bëhet prej orës 09:00 deri në ora 15:00, deri më 29 të këtij muaji.

Arkivi i Kosovës është themeluar më 20 mars 1951, edhe pse fillet e punës institucionale arkivore në Kosovë  datojnë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, respektivisht në vitin 1948.

Pas vitit 1968 filluan të formohen arkivat rajonale dhe ato komunale, me çka fillon edhe ndërtimi i rrjetit arkivor në territorin e Kosovës.

Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe vendosjes së masave të dhunshme në të gjitha institucionet e vendit, edhe Arkivi i Kosovës administrohej nga këto masa të dhunshme.

Ndërsa, pas mbarimit të luftës së fundit në Kosovë (vitet 1998-1999), sikurse edhe veprimtaritë tjera, edhe shërbimi arkivor pësoi ndryshime.