Hotelet e Kosovës pas hapjes patën mbi 6 mijë e 800 vizitorë

ASK tregon se për shkak të pandemisë, me vendim të Qeverisë së Kosovës, hotelet kanë qenë të mbyllura gjatë muajve prill dhe maj 2020. Andaj, të dhënat e publikuara në këtë tremujor paraqesin rezultatet vetëm të muajit qershor 2020, pasi hotelet kanë filluar të punojnë nga data 01 qershor 2020.

Në muajin qershor Kosovën e vizituan mbi 6 mijë e 800 vizitorë ku gjysma e tyre ishin të huaj

“Në TM2 2020, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) ishte 6 831, prej tyre 47.96% janë vendorë dhe 52.07% janë të huaj. Ndërsa, numri i net-qëndrimeve ishte 10 466, prej tyre 48.45% nga vendorët dhe 51.55% nga të huajt.”, thuhet në komunikatë.

Numrin më të madh të vizitorëve dhe net-qëndrimeve të tyre e ka Rajoni i Prishtinës, me 2 439 vizitorë dhe 3 626 net-qëndrime.

Sipas ASK-së, numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë e kështu me radhë. Sa u përket vizitorëve të huaj, numri më i madh është nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra, etj.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e raport-statistikës “Statistikat e Hotelerisë në Kosovë” për tremujorin e dytë (TM2) 2020.

Tutje thuhet se në tremujorin e dytë 2020 pjesë e anketës ishin 199 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e  Kosovës.