Foto: KALLXO.com.

GAP: Ndikimi i “Dokufest 2023” në ekonominë kosovare rreth 4 milionë euro

Instituti GAP ka publikuar Raportin e ndikimit ekonomik të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, “Dokufest” për vitin 2023.

Që nga viti 2002 Festivali “Dokufest” organizohet në Prizren gjatë muajve të verës. Edicioni i 22-të i “Dokufest’-it ishte mbajtur nga 4 deri më 12 gusht 2023.

Sipas këtij raporti, numri i përgjithshëm i vizitorëve të “Dokufest”-it për 2023 ishte 16,756.  Ndërsa, po sipas GAP-it nga analizimi i shpenzimeve të vizitorëve del se ndikimi i “Dokufest 2023” në ekonominë e Kosovës ishte rreth 4 milionë euro.

Kjo, sipas GAP-it, tregon  një rritje në krahasim me vitet e fundit pas pandemisë COVID-19, duke kontribuar kështu në sektorë siç janë gastronomia, akomodimi dhe transporti.

Për më shumë, thuhet në raport, krahasuar me shpenzimet e bëra për organizimin e “Dokufest 202”3, gjetjet tregojnë se për çdo 1 euro të investuar janë gjeneruar 7.8 euro për ekonominë e Kosovës.

“Nga analiza e ndikimit në Bruto Produktin Vendor (BPV), e cila heq efektin e importeve në llogaritje, del se vlera e ndikimit të ‘Dokufest 2023’ në BPV ishte 2.8 milionë euro. Bazuar në llogaritjet e kthimit në investime, del se për çdo 1 euro të investuar janë gjeneruar 7.8 euro për ekonominë e Kosovës. Ndërsa, nëse analizohet kthimi në investime vetëm nga fondet publike, del se për çdo 1 euro të investuar, janë gjeneruar 22.8 euro”- thuhet në raport.

Sipas GAP-it, nga 16,756 vizitorë në “Dokufest 2023”, rreth 7,138 (43%) prej tyre ishin për herë të parë në festival, ndërsa 9,618 (57%) vizitorë kanë marrë pjesë edhe në edicionet e mëparshme.

Kurse, rreth 5,050 (30%) prej tyre ishin shtetas ndërkombëtar që kishin ardhur enkas për “Dokufest”-in.

Bazuar në raportin e GAP-it, arsyet kryesore për pjesëmarrje në festival ishin: interesi për filmat (64%) dhe dëshira për të përjetuar atmosferën e festivalit (60%).

Ndikimi ekonomik i “Dokufest 2023”, sipas GAP-it është gjithashtu rezultat i shpenzimeve të vetë festivalit, të cilat arritën shumën prej 516,858 euro.

Nga analizimi i të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) rreth qarkullimit të bizneseve në Prizren, thuhet më tej në raport, gjatë muajit gusht 2023, (periudhës kur është organizuar festivali), rezulton se të hyrat e bizneseve janë rritur me 20% (gjithsej 117 milionë euro) krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022 (98 milionë euro).

Sipas raportit del që shpenzimet mesatare ditore të blerësve të biletave që janë banorë të Prizrenit gjatë “Dokufest 2023” ishin 52.9 euro, ndërsa të pjesëmarrësve nga vendet jashtë Prizrenit ishin 101.17 euro.

Shpenzimet e vizitorëve nga vendet jashtë Prizrenit shkojnë për kategorinë e akomodimit (28%) dhe atë të ushqimit dhe pijeve (23%).

Anketimet lidhur pjesëmarrësit dhe shpenzimet e pjesëmarrësve në “Dokufest 2023” janë kryer nga “UBO Consulting”.

“Të dhënat parësore janë mbledhur nga një pyetësor i cili vlerëson shumën dhe mënyrën e shpenzimeve të vizitorëve gjatë ditëve dhe netëve të ‘Dokufest 2023’. Pyetësori që është përdorur ka për qëllim të zbërthejë shpenzimet e përgjithshme të vizitorëve nëpër sektorë të ndryshëm për të parë destinimin e tyre dhe rrjedhimisht për të vlerësuar ndikimin e festivalit nëpër këta sektorë”- thuhet në raport.

Festivali “Dokufest” është themeluar në vitin 2002, me qëllim të rigjallërimit të kinemasë dhe jetës kulturore në Prizren.

Gjatë 22 edicioneve ky festival është zhvilluar duke bërë ndër festivalet më të  rëndësishëm të filmit dokumentar dhe të shkurtër në Evropën Juglindore. Nga viti 2019 është festival kualifikues BAFTA për filma të shkurtër.

Edicioni i 23-të i këtij festivali do të mbahet nga 2 deri më 10.08.2024 në Prizren.