‘Grand Hotel’. Foto: KALLXO.com.

Mbi 30 mijë vizita të realizuara në hapësirat e bienales ‘Manifesta'  

Një interesim i madh është treguar nga qytetarët vendas dhe të huaj për të parë aktivitetet e prezantuara në kuadër të Bienales “Manifesta 14” që po mbahet në Prishtinë.  

Nita Deda, koordinatore për komunikim në “Manifesta” ka thënë për KALLXO.com se 30 mijë vizita janë realizuar nga vizitorët në hapësirat ku janë prezantuar intervenimet artistike në kuadër të “Manifesta 14 Prishtina”.  

“’Manifesta’ i kalkulon vizitat dhe jo vizitorët, sepse nuk shesim biletat. Deri tash kemi 30,000 vizita në hapësirat e ‘Manifesta 14 Prishtina’, duke përjashtuar punët në hapësirat publike si Sheshi ‘Adem Jashari’ apo Sheshi ‘Zahir Pajaziti’”- tha Deda për KALLXO.com. 

Ndërsa, sa i përket numrit të vizitorëve të huaj në “Manifesta”, Deda tha se do të dihet pas anketës që do të bëhet në fund të bienales.   

Ajo tha se “Grand Hotel” është hapësira më e vizituar në “Manifesta”.  

Bienalja evropiane Nomade, “Manifesta 14” do të mbahet deri më 31 tetor 2022.