Arkëtari përvetësoi mbi 1500 Euro të Ujësjellësit, pranon fajësinë para Gjykatës

Pranon fajësinë i akuzuari për përvetësimin e 1.511 eurove nga kompania e Ujësjellësit në Mitrovicë

Mirsad Veseli, i cili po akuzohet për përvetësim në detyrë e ka pranuar fajësinë për veprën penale.

Një pohim të tillë Veseli e ka bërë para Gjykatën Themelore të Mitrovicës, në shqyrtimin gjyqësorë ndaj tij.

Pranimi i fajësisë nga ana e të pandehurit u mbështet edhe nga prokurori i rastit Njazi Rexha, nga avokatja e tij Shqipe Mehmeti, si dhe u aprovua nga gjykatësi i rastit Tomislav Petroviq.

Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë së Ujësjellësit, Mentor Sejdiu ka thënë se ju duhet tre ditë afat për të precizuar vlerën e dëmit që i është shkaktuar kësaj kompanie.

Kjo kërkesë u aprovua nga gjykatësi Petroviq, ndërsa ky i fundit ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë rast do të bëhet me 14 mars.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, në periudhën gusht-shtator të vitit 2016, Mirsad Veseli në cilësinë e arkëtarit në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit – KRU “Mitrovica”  për vete ka përvetësuar të hollat që i janë besuar në bazë të detyrës zyrtare.

Akuza thotë se veprën penale e ka kryer duke mos e dorëzuar në arkën e kompanisë shumën e parave të inkasuara nga evidencat e konsumatorëve të cilët e kishin kryer pagesën.

Po ashtu i akuzuari Veseli nuk e ka shlyer nga evidenca borxhin e konsumatorëve të cilët kishin kryer pagesë, me ç’rast kishte përvetësuar shumën prej 1.511.30 euro.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “përvetësimi në detyrë”.