Apostolova kërkon që të largohen zyrtarët e korruptuar të Kosovës

Përfaqësuesja Speciale e BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, gjatë fjalimit të saj në konferencën rajonale kundër korrupsionit e mbajtur sot për herë të parë në Kosovë, ka theksuar se luftimi i korrupsionit ndërlidhet direkt edhe me çështjen e liberalizimit të vizave.

“Me gjithë arritjet që Kosova ka pasur në aspektin legjislativ prapë ka hapësirë në këtë fushë. Duhet të miratohen ligji mbi sinjalizimin, ligji mbi heqjen e zyrtarëve të akuzuar, ligji mbi agjencinë. Këshilli i Evropës po harton një vlerësim i cili përfundon këtë vit dhe besoj se institucionet do të marrin parasysh rekomandimet nga ky raport”, ka thënë ajo.

“Është me rëndësi të ketë ligje me standarde të larta dhe të realizohen kontrolle të brendshme. Lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet kyç për BE-në në rajon. BE-ja në raportin për vitin 2018 i ka rekomanduar Kosovës të ndërmarrë hapa të fort kundër korrupsionit”, shtoi Apostolova.

Ajo gjithashtu ka bërë thirrje për miratimin e një sërë ligjesh, përfshirë edhe atë për largimin e zyrtarëve të akuzuar nga institucionet.

Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell, ka thënë se lufta kundër korrupsionit nuk është problem vetëm rajonal por ka prekur gjithë vendet e botës. Sipas tij, korrupsioni është shndërruar edhe në financues të rrjeteve të terrorizmit në botë, gjë që është kthyer në një problem global.

“Nuk është diçka e re, por është dukuri e cila është e shfaqur në të gjithë botën, diku më pak e diku më shumë. Korrupsioni tanimë është kërcënim global, pasi që zyrtarët janë te korruptuar. Duhet përkrahje politike dhe mirëpres përkrahjen e presidentëve në punën e prokurorëve, por edhe gjyqtarët janë ata që duhet të dënojnë zyrtarët me të kaluar kriminale. Shtetet duhet të jenë të bashkuara dhe të vendosura. Ne si Britani e përkrahim  anëtarësimin e Kosovës në Interpol pasi që do të ishte në interes të të gjithëve”, ka thënë ai.

Ndërsa, ambasadori i Italisë, Piero Cristoforo Sardi tha se lufta kundër korrupsionit bie në kuadër të luftës më të gjerë kundër krimit të organizuar dhe është pjesë e përpjekjeve të përgjithshme për të përforcuar atë që është e nevojshme për të zbatuar sundimin e ligjit.

“Shumë ndikime bien ndesh pasi që ekzistojnë qëllime të drejtpërdrejta apo tërthore, që të mund të drejtoheshin për rritjen e konkurrencës dhe punësimin, i tërthortë nuk është humbje e drejtpërdrejt, por pengohen, p.sh. të huajt investojnë tjetër kund dhe jo në Kosovë. Transparenca është mjet kryesor dhe nevojiten instrumente pasi që korrupsioni nënkupton edhe humbjen e resurseve”, tha mes tjerash ai.

Agjencia Kundër Korrupsionit sot ka hapur punimet e konferencës rajonale kundër korrupsionit, konferencë kjo dyditore. Ku po marrin pjesë drejtues të institucioneve relevante nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Italia, Kroacia, Mali i Zi, Moldavia, Turqia, përfaqësues nga organizatat të specializuara ndërqeveritare në nivel rajonal dhe më gjerë (UNDOC, OECD, UNDP), ekspertë ndërkombëtarë nga sfera e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore për rend dhe ligj, dhe të organizatave të shoqërisë civile.

 

https://kallxo.com/haxhiu-zyrtaret-e-larte-kane-pasuri-edhe-jashte-vendit/

https://kallxo.com/thaci-kerkon-mbeshtetjen-per-anetaresim-ne-interpol/

 

https://kallxo.com/thaci-uck-ka-pasur-12-apo-15-mije-ushtare-numri-i-veteraneve-demtoi-buxhetin/