Alternativa akuzon kryetarin Gjini se po tenton të degradojë planet urbanistike të Gjakovës

Partia Alternativa, dega në Gjakovë, ka akuzuar kryetarin Ardian Gjini se po tenton të degradojë planet urbanistike të kësaj komune, duke i krijuar kushte dhe hapësirë kyçe biznesmenëve të ndërtimit, që sipas tyre, janë anëtarë të partisë së kryetarit të Gjakovës.

“Në mbledhjen e sotme të Komitetit për Politik dhe Financa në mesin e pesë pikave të rendit të ditës, u propozua që të shfuqizohet plani urbanistik, në vendbanimet në mes të rrugës ‘Sadik Stavileci’ dhe rrugës së ‘UÇK-së’, e gjithë kjo me qëllim të krijimit të një kaosi i cili do krijonte hapësirë për objekte të larta shumëkatëshe”, thuhet në komunikatën e Alternativës.

Sipas Alternativës, është kërkuar që të aprovohet një shfuqizim plani urbanistik, përderisa Komuna nuk e ka sjellë asnjë plan se si do të bëhet plani i ri urban në këtë pjesë të qytetit, i cili nuk ka gjasa të hartimit pa miratimin e hartës zonale, që Komuna e Gjakovës nuk e ka.

“Në të njëjtën pjesë, ekzistojnë shumë objekte shumëkatëshe të ndërtuara pa leje dhe jashtë planit rregullativ që në kohën e qeverisjes së Aleancës gjatë viteve 2007-2013. Kryetari Gjini përmes tentimeve të një pas njëshme, në mënyrë indirekte po shfrytëzon pozitën e tij zyrtare që t’ju krijoj kushte dhe hapësirë kyqe brenda qytetit biznismenëve të ndërtimit që janë antar dhe zyrtar të lartë të Aleancës”, thuhet në reagimin e Alternativës.

Partia e drejtuar nga Mimoza Kusari –Lila e ka kundërshtuar këtë pikë të rendit të ditës, duke kërkuar që të zhvillohen së pari procedurat e parapara me rregulloret në fuqi, ku Komuna duhet të dëgjojë edhe mendimin e banorëve të asaj pjese.