Alma Lama, ambasadore e Kosovës në Itali - Foto: Facebook

Alma Lama për shtyrjen e raportimit të saj: Deputetët po kanë frikë nga e vërteta

Disa muaj pas shkarkimit të saj si ambasadore e Kosovës në Itali, Alma Lama kishte kërkuar që të raportojë në Komisionin  për Punë të Jashtme, por se raportimi i saj është shtyrë për sesionin vjeshtor për shkak të mungesë së anëtarëve.

Lama përmes një postimi në Facebook ka shkruar se letrën për raportim ia ka dërguar të gjithë anëtarëve.

“Të njëjtën letër kam kërkuar nga Kuvendi që t’i shpërndahet anëtarëve të komisionit. Megjithëse fillimisht me njoftuan se do të me prisnin në komision më 16 korrik tashme me njoftuan se është anuluar sepse shumica e anëtarëve të komisionit nuk mund të marrin pjesë. E mbledhja qenka shtyrë për sesionin vjeshtor”, ka shkruar ajo.

E këtë veprim ajo e ka konsideruar si sjellje jo serioze dhe frikë të deputetëve për t’u përballur me të vërtetën.

“Përveç se një sjellje joserioze, unë këtë e konsideroj bojkot dhe frikë të deputetëve për t’u përballur me të vërtetën. Po të ishin në nivelin e detyrës këta deputetë me siguri do të më kishin thirrur vet për raportim ose së paku do ta kishin marrë në pyetje ministrin e jashtëm, i cili ka qenë disa herë në raportim para këtij komisioni”, ka shkruar Lama.

Ish-ambasadorja tha se këtë raportim ka dashur ta bëjë për sqarim.

“Sa për mua, thjeshtë desha t’ia bëjë edhe një shërbim tjetër shtetit të Kosovës, përndryshe platformat për të thënë të vërtetën janë të pafund. Dhe tashme unë jam një qytetare e lirë, pa asnjë funksion publik që kam mundësi ta mbrojë veten nga sulmet e paskrupullta, shpifjet e neveritshme që mu bënë gjatë gjithë kohës që isha në detyrë, për interesa meskine e në kundërshtim me çdo etike institucionale e shtetërore”, ka shtuar ajo.

Lama u shkarkua nga pozita si ambasadore në Itali nga presidenti Hashim Thaçi më 27 nëntor 2019.

https://kallxo.com/presidenti-thaci-shkarkoi-ambasadoren-alma-lama-dokument/

.