Albulena Haxhiu në #DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Albulena Haxhiu Kërkon Dorëheqjen e Thaçit

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu duke reaguar për zhvillimet e djeshme rreth shfuqizimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, ka kërkuar dorëheqjen e Presidentit Hashim Thaçi.

“Hashim jep dorëheqje!”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo më tutje ka konstatuar se me veprimet e djeshme Presidenti Thaçi po kërkon garanci për vete se nuk do të ndiqet nga Gjykata Speciale.

“Kjo tendenca e mbrëmshme, është një përpjekje e Thaçit që të marrë sërish garancë për veten”, shkroi Haxhiu.

Ajo shkroi më tutje për Thaçin se “njeri më dinak, më tinzar e më të paskrupullt, zor se mund të gjesh”.

Haxhiu shkroi se Thaçi është në gjendje të bëjë gjithçka për t’i shpëtuar Speciales.

“Me gjasë tash së voni ka mundur të kuptojë që edhe ai do të jetë në mesin e të akuzuarve dhe është në gjendje të bëjë gjithçka natën e fshehtazi, vetëm për interesat e tij puro personale”, shkroi Haxhiu.

Dje Kryesia e Kuvendit dështoi dy herë për të mbajtur mbledhjen e saj pas kërkesës për seancë të jashtëzakonshme në lidhje me shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të 43 deputetëve.