Gjykimi për narkotikë | Foto: KALLXO.com

I Akuzuari: Drogën e Kisha për Vete, Jo për Ta Shitur

Në gjykimin për posedim dhe shit-blerje të paautorizuar të narkotikeve i akuzuari Meriton Zogjani u deklarua i pafajshëm rreth veprës penale që i vihet në barrë.

Ai me rastin e deklarimin rreth fajësisë tha se e pranon që ka poseduar substanca narkotike por deklaroi se atë sasi të substancave narkotike nuk e kishte për ta shitur por për ta konsumuar vetë pasi që është konsumues i këtyre substancave narkotike.

“E pranoj që kanë qenë të mijtë dhe në banesë që mi kanë zënë, por nuk e kam pasur për ta shitur. E kam blerë por e kam pasur vetëm për vete për ta pirë, nuk e pranoj fajësinë ashtu siç përshkruhet në diapozitiv”, tha i akuzuari Meriton Zogjani gjatë deklarimit në lidhje me pranimin e fajësisë.

Sipas aktakuzës Meriton Zogjani pa autorizim ka blerë dhe poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ka ofruar për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope apo analoge.

Në aktakuzë thuhet se në tetor të vitit të kaluar në hyrje të banesës së të pandehurit gjatë një kontrolle nga ana e policisë janë gjetur dhe sekuestruar substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë 7.1 gramë, një kuti plastike dhe disa qese te vogla me pluhur të dyshuar narkotik të llojit heroinë me peshë 18.4 gramë, dy qese të dyshuara për narkotikë të llojit marijuanë me peshë 26.5 gramë si dhe para në shumë prej 4005 euro, të dyshuara se janë përfituar nga shitja e narkotikeve.

Tutje në aktakuza thuhet se pas ekspertizës së këtyre substancave narkotike ka rezultuar se një sasi me substancat e dyshuara narkotike te gjetura te i akuzuari Meriton Zogjani përmban heroinë me përzierje acetaminofen (paracetamol) dhe kafeinë në peshë neto të përgjithshme 165.16 gramë, një sasi tjetër përmban gjurmë (indikacion) të heroinës në përzierje me acetaminofen (paracetamol) dhe kafeinë me pesha neto 8.71 gramë si dhe një sasi tjetër përmban kanabis (marijuanë) që përmban tetrahidrokanabinol(THC).