Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin nga Skenderaj, të cilit dyshohet se iu gjetën afër 60 kg marihuanë

Prokuroria e Mitrovicës ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin E.A. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale -shitblerje e narkotikëve.

Policia e Kosovës në një operacion të zhvilluar dje në fshatin Vajnik të Skenderajt ka gjetur dhe konfiskuar 59 kilogramë e 973 gramë lëndë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë.

Gjatë këtij operacioni ishte arrestuar i dyshuari E.A., viti i lindjes 1995 dhe i njëjti ishte ndaluar për 48 orë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, në shtëpinë e të dyshuarit ishin gjetur afër 60 kilogramë të llojit marihuanë,

“Ekziston dyshimi i bazuar se i  dyshuari E.A., prej datës të pacaktuar e deri me datë 15.08.2023 në fshatin Vajnikë – komuna e Skenderajt,  në shtëpi dhe objektet përcjellëse, me qëllim shitje apo shpërndarje,  pa autorizim ka  poseduar substanca narkotike të llojit marihuanë, me peshë të tërësishme prej 59 kilogramë e 973 gramë”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.