Ilustrim

Arrestohet ish-zyrtari policor i Shqipërisë, i kërkuar nga Interpoli për trafikim të drogës dhe prostitucion

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar Gëzim Çelajn, shtetasin e Shqipërisë i cili ishte në kërkim ndërkombëtar për trafik droge dhe prostitucion.

Sipas Policisë së Kosovës, arrestimi i 55-vjeçarit është bërë në fshatin Dardani të Ferizajt, në koordinim me autoritetet policore të Shqipërisë.

Në njoftim bëhet e ditur se Çela, në momentin e arrestimit ka qenë në shoqëri të dy grave/vajzave shtetase të Shqipërisë dhe një burri nga Kosova.

“Dyshohet se shtetasi i Kosovës, ka strehuar për një kohë në shtëpinë e tij në një fshat të Vitisë, të dyshuarin nga Shqipëria. Arrestimi është kryer në fshatin Dardani të Ferizajt dhe hetuesit e anti-drogës gjatë operacionit të arrestimit të të dyshuarit janë mbështetur nga njësi tjera të PK-së”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Pas arrestimi, Policia ka thënë se ka kontrolluar shtëpinë e të dyshuarit A.I, në një fshat të Vitisë, që dyshohet se strehoi të kërkuarin nga Shqipëria. Gjatë kontrollit në shtëpi është gjetur dhe konfiskuar një AK-47 me 15 fishekë.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Njësia FAST-ILECU të cilët në koordinim me organet e drejtësisë, do të merren me procedura rreth rasteve kur kemi të bëjmë me arrestime të personave që janë në kërkim ndërkombëtar.

Ndërsa, Polica e Shtetit në Shqipëri, përmes një njoftimi a bërë të ditur se Çela, është arrestuar në kuadër të një operacion të përbashkët në mes dy policive.

“Policia e Kosovës, bazuar në informacionin e marrë nga Policia shqiptare, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Fundi i trishtë”, gjatë të cilit, në Ferizaj, u kap dhe u vu në pranga shtetasi: Gëzim Çelaj (Çela), 55 vjeç, lindur dhe banues në Krujë”- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit Shqiptar.

Sipas Policisë së Shtetit, Çela prej vitesh kërkohej nga drejtësia shqiptare dhe ajo italiane.

Gëzim Çelaj, një ish-punonjës policie, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, por edhe nga Interpol Roma, Itali. Ai akuzohet për trafikim ndërkombëtar të narkotikëve e shfrytëzim të prostitucionit.