Ruairi O'Connell, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë

Akuzat për Shmangie Tatimi, të Hetohen Seriozisht

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka bërë thirrje që organet hetuese ta bëjnë punën e tyre në zbardhjen e akuzave për shmangie tatimi.

Reagimi i diplomatit britanik erdhi vetëm pak kohë pasi emisioni “Jeta në Kosovë” transmetoi hulumtimin që ka të bëjë me një vjedhje tatimore të përmasave multi-milionëshe në Administratën e Kosovës.

Në reagimin e tij në Facebook, Ruairi O’Connell tha se korrupsioni në formë të ikjes së tatimit është problem për Kosovën.

“Akuzat sonte në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ janë shqetësuese. Ato meritojnë trajtim serioz nga organet kompetente dhe hetim profesional dhe të paanshëm”, tha ai.

O’Conell është vënë në mbrojtje edhe të raportuesit të këtij skandali, hetuesit në ATK, Murat Mehmeti, i cili ka folur hapur në emision për këto akuza.

“Informatorët e dyshimeve të arsyeshme për veprime kundërligjore, duhet të mbrohen plotësisht, në mënyrë që të inkurajohen edhe informatorët tjerë të bashkëpunojnë me drejtësinë. Informatorët e veprimeve të kundërligjshme janë heronjtë e ri për të cilët ka aq shumë nevojë Kosova”, tha ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.