Ilustrim

ATK kryen kontrolle për punëtorë pa kontrata në Pejë dhe Gjilan

Administrata Tatimore po vazhdon aktivitetet për verifikimin e kontratave të punëtoreve në mbarë Kosovën.

Aksione të tilla të ATK-së së fundi u ndërmorën edhe në Pejë dhe Gjilan.

Këto kontrolle të ATK-së, u zhvilluan pas raportimeve të qytetarëve në KALLXO.com.

Kontrollit në Pejë iu nënshtrua një biznes i cili merret me ndërtimin e shtëpive dhe objekteve banesore.

Qytetarët kishin raportuar në KALLXO.com se ky biznes, ndonëse kishte një numër të madh të punëtoreve, shumica nga ta nuk ishin pajisur me kontrata.

Pas pranimit të informacionit, drejtori rajonal në Pejë, Lazer Ramaja ka autorizuar një ekipe të inspektorëve tatimorë për të kryer kontrolle.

Kontrollet në këtë biznes janë duke vazhduar ndërsa biznesi pritet që të deklarojë numrin e punëtorëve në ATK.

Aktivitet i ngjashëm kontrolli pas informacioneve në KALLXO.com, u zhvillua edhe në një internet kafe e cila gjendet në Gjilan.

Në lidhje me këtë biznes, informacioni pretendonte se ka të angazhuar tre punëtorë pa kontrata pune dhe se nuk është i pajisur me arkë fiskale.

Inspektorët e ATK-së, kanë zhvilluar këtë aktivitet dhe kanë vizituar biznesin në fjalë mirëpo i njëjti ishte i mbyllur.

Pas këtyre konstatimeve, ATK do të kërkojë informacione nga pronari i biznesit si dhe do të ndërmarrë veprime të mëtejshme të parapara me ligj.

ATK është duke verifikuar kontratat e punës së punëtorëve në biznese të shumta në të gjithë Kosovën që nga koha kur Qeveria miratoi pakon emergjente fiskale me të cilën pritet t`u dalë në ndihmë punëtorëve në sektorin privat.

Verifikimi i kontratave të punës nga Administrata Tatimore është bërë edhe jashtë orarit të rregullt të punës.

Në bazë të informacioneve të raportuara në KALLXO.com, deri më tani janë konstatuar 28 punëtorë pa kontrata pune në biznese të ndryshme.

Pesëmbëdhjetë punëtorë pa kontrata janë konstatuar në një Lulishte të Prishtinës, nëntë janë konstatuar në biznesin e sigurimeve fizike ndërsa nga dy punëtorë pa kontrata u konstatuan në një auto parking në Prishtinë dhe në biznesin e taksive.

Kontrollet për verifikimin e kontratave të punës së punëtoreve kanë filluar nga koha kur Qeveria e Kosovës e miratoi pakon emergjente fiskale me të cilën pritet t’u dalë në ndihmë edhe mijëra punëtorëve në sektorin privat.

Nga fillimi i vitit 2020 e deri në muajin prill, Administrata Tatimore e Kosovës ka shqiptuar mbi 90 mijë euro gjoba nga raportimet e qytetarëve në KALLXO.com.

Mospajisja e punëtoreve me kontrata pune dhe mosdeklarimi i tyre janë shkelje e ligjit dhe janë të dënueshme sipas dispozitave të ligjit mbi Administratën Tatimore të Kosovës.

KALLXO.com inkurajon të gjithë ata të cilët nuk kanë kontrata pune të raportojnë në platformën tonë dhe në ATK.