Aktivistë të Shoqërisë Civile Nesër në Protestë

Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile përmes një njoftimi kanë bërë të ditur se do t’i bashkohen protestës së nesërme të paralajmëruar nga opozita.

Sipas tyre, kriza politike që mbizotëron prej muajsh në Kosovë është njëra ndër arsyet që ata do të marrin pjesë në proteste.

“Të shqetësuar nga kriza politike që mbizotëron prej muajsh në Republikën e Kosovës dhe të motivuar për të kontribuar drejt gjetjes së një zgjidhjeje, mbështesim njëzëri protestën e thirrur nga Opozita e Bashkuar”, thonë në deklaratën e nënshkruar nga 54 aktivistë të shoqërisë civile.

Në këtë deklaratë gjithashtu është thënë se zgjedhja e Presidentit nuk do të kontribuonte drejt një zgjidhjeje.

“Rrjedhimisht, ne kërkojmë nga Kryeministri i vendit dhe Qeveria e Republikës së Kosovës t’i hapin rrugë zgjedhjeve të reja në vend, për të evituar çdo tensionim të mëtejshëm të gjendjes politike, dhe për të rikthyer besimin e humbur në institucionet demokratike të shtetit”, kanë bërë të ditur ata.

Deklarata është nënshkruar nga 54 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, analistë, gazetarë, publicistë, profesionistë të fushave të ndryshme dhe sipërmarrës privatë.

Të mërkurën është paralajmëruar protesta nga opozita në kundërshtim të marrëveshjeve për demarkacionin me Malin e Zi si dhe Asociacioni e Komunave Serbe. Kjo protestë do të mbahet në ditën e 8-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.