Foto: RTV Dukagjini

Për 5 vjet shteti ka harxhuar mbi 6 milionë euro për veturat me qira

Miliona euro të buxhetit të Kosovës u shpenzuan për veturat me qira që po i përdorin disa nga institucionet. Por, shumë e njëjtë do të shpenzohet sërish, për shkak se është hapur tenderë për blerjen e 240 veturave. Shoqëria civile thotë se me këto veprime të paplanifikuara, po dëmtohet e po keqmenaxhohet buxheti.

Me vetëm një veturë rrezikon të mbetet zyra për mbrojtjen e viktimave në Prishtinë.

Kjo për shkak se një veture tjetër të cilën e kanë shfrytëzuar deri më tash, duhet që ta kthejnë muajin tjetër, për arsye se kontratës i skadon afati.

Ky institucion publik, është njëri nga shumë institucionet në Kosovë që kanë shfrytëzuar për 5 vjet e gjysmë vetura me qira.

Agjencia Qendrore e Prokurimit, gjatë vitit 2018 ka nënshkruar dy kontrata për marrjen e mbi 350 veturave, duke i kushtuar buxhetit rreth 7 milionë euro.

Një tender i ri, me një shumë të ngjashme është hapur edhe këtë muaj nga AQP-ja. Por, këtë herë me rreth 7 milionë euro, është planifikuar të blihen 240 vetura për institucione të ndryshme të Kosovës.

Sipas dosjes së tenderit, më shumë vetura do t’i dedikohen Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, KGJK-së e KPK-së.

Por një nismë e tillë, po shihet e vonuar nga Lëvizja FOL.

“Ato vetura të cilat janë paguar me qira janë paguar dyfish sesa do i kushtonte qeverisë për të blerë ato vetura, gjë që është diskutabile sepse më e nevojshme dhe më e arsyeshme kishte qenë me i ble sesa me i marr me qira, sepse kjo i kushton kosto të dyfishtë buxhetit”, ka deklaruar Viola Bunjaku – Lëvizja FOL.

Sipas Bunjakut, institucionet do duhej t’i përdornin edhe veturat që shpesh i vendosin në shitje.

“Kemi pasur edhe para dy muaj edhe shitje të veturave që kanë qëndruar në garazhet e qeverisë, dhe kështu kemi një shpenzim të buxhetit dhe është keqmenaxhim i parasë”, ka deklaruar Viola Bunjaku – Lëvizja FOL.

Zyrtarë brenda disa institucioneve, shfrytëzojnë veturat me qira, i kanë thënë televizionit se nga muaji korrik duhet t’i kthejnë të gjitha veturat dhe se do të jetë kaos si shkak i numrit të vogël të veturave që kanë.

Nga Agjencia Qendrore e Prokurimit kanë thënë se tenderë për vetura me qira do të ketë vetëm për trupat inspektuese, bazuar në vendimin e ekzekutivit.

“Të gjitha kontratat e centralizuara të nënshkruara nga AQP janë të publikuara në web faqen e AQP-së, në linkun: https://aqp.rks-gov.net/kontratat-e-centralizuara/​ , pra këtu mund të gjeni edhe kontratat “Shfrytëzimi afatgjatë i automjeteve me qira” ku mund t’i gjeni të gjitha të dhënat lidhur me kontratat në fjalë. Ndërsa ju njoftojmë që AQP ka shpallur procedurën e prokurimit fillimisht për furnizim me vetura për institucionet e Republikës së Kosovës, kjo pas vendimit të Qeverisë të datë 26.04.2023 (procedura është e hapur dhe e qasshme për të gjithë në e-prokurimi). Ndërsa shumë shpejt do të publikohet edhe aktiviteti i prokurimit “Vetura me qira për trupat inspektuese” edhe kjo bazuar në vendimin e njëjtë të Qeverisë me nr.07/140.  Pra Momentalisht AQP është e autorizuar për zhvillimin e aktivitetit të prokurimit për marrje me qira të veturave vetëm për trupat inspektuese”, ka theksuar Agjencia Qendrore e Prokurimit.

Institucionet që më së shumti kanë shfrytëzuar veturat me qira janë Këshilli Gjyqësor, Policia e Kosovës, Administrata Tatimore të Kosovës, e disa prej ministrive./ Dukagjini