Ilustrim

Arrestimet dhe aktakuzat që erdhën nga hulumtimet e shoqërisë civile

Në mars të vitit 2023, Policia e Kosovës ka arrestuar pronarin e një kompanie në Gjilan nën dyshimin për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik. I njëjti dyshohet se ka falsifikuar një dokument për të marrë tenderin për furnizim me material zyrtar në vlerë 155 mijë euro. Dy muaj më pas, ndaj pronarit të kompanisë “ARF Sh.P.K” është ngritur aktakuzë.

Deri te arrestimi dhe ngritja e aktakuzës për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik ka ardhur pas një hulumtimi të publikuar në KALLXO.com, në kuadër të një projekti të implementuar nga organizata “Democracy Plus”. Përveç publikimit të hulumtimit, KALLXO.com i ka dërguar Prokurorisë një letër informuese në lidhje me dyshimet për keqpërdorime në tenderin në vlerë 155 mijë euro në Gjilan.

Ky nuk është rasti i vetëm për të cilin janë ndërmarrë veprime hetimore pas dërgimit të letrës informuese nga organizatat e shoqërisë civile në Prokurorinë e Shtetit.

Më 26 maj 2023, organizata “Democracy Plus” ka dërguar letër informuese në Prokurori në lidhje me tenderin për furnizim me material zyrtar të Autoritetit Kontraktues “Ibër Lepenci”. Në këtë rast, Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka diskualifikuar operatorin ekonomik N.T Abetarja, me dyshimin e bazuar që ka pasur falsifikim të dokumenteve zyrtare.

“Tre muaj pas raportimit, Prokuroria e Prishtinës ka iniciuar rastin për këtë operator ekonomik me dyshimin se është konsumuar vepër penale. Jemi duke pritur se cilat do të jenë hapat që do të ndërmerren më tutje në lidhje me këtë rast” – ka thënë Ardit Dragusha, hulumtues në organizatën “Democracy Plus”.

Në vitin 2021, me mbështetjen e aktivitetit të USAID për Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi në mes Këshillit Prokurorial të Kosovës, organizatave të Shoqërisë Civile me përfaqësues organizatën “Civikos” dhe Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës.

Redaktori menaxhues në KALLXO.com, i cili ka qenë pjesë e kësaj nisme ka thënë se ideja e kësaj nisme ka qenë grumbullimi i raportimeve të shoqërisë civile pasi është konstatuar se shumë gjetje të Shoqërisë Civile nuk dorëzohen te Prokuroria e Shtetit e kjo e fundit nuk ka mekanizëm për identifikim të raportimeve.

“Si rrjedhojë është konstatuar zbrazëtirë. Jemi ulë bashkë me shoqërinë civile dhe përfaqësuesit e Këshillit të Mediave për me e draftu një memorandum të bashkëpunimit. Rezultat i diskutimit disa-ditor, ka derivu me hartimin e memorandumit të bashkëpunimit, i cili ndërton parimet bazë, mbi të cilat shoqëria civile do t’i dërgojë rastet në Prokurorinë e Shtetit dhe mekanizmave të tjerë të cilët duhet të ndërtohen tutje për me e strukturu më mirë këtë bashkëpunim” – ka thënë Gashi.

Në kuadër të kësaj nisme, përfaqësuesit e organizatave të Shoqërisë Civile janë trajnuar dhe mentoruar për hartimin e letrave të para informuese të cilat më pas janë dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit.

Përmes këtij memorandumi është ndërtuar një procedurë standarde për dorëzim të rasteve të identifikuara nga shoqëria civile dhe media tek Prokuroria e Shtetit dhe angazhimin e KPK-së për të ofruar informata kthyese.

Falë këtij bashkëpunimi në Prokurorinë e Shtetit janë dorëzuar 20 letra informuese për raste të ndryshme të keqpërdorimeve në fushën e prokurimit.

“Mund ta ndajmë me shumë krenari faktin që kjo platformë ka ndihmuar në nisjen e disa hetimeve penale, të cilat lidhen qoftë me tenderë apo me shpenzimin e parasë publike në institucione të ndryshme. Po ashtu, diskutimi mes shoqërisë civile dhe Prokurorisë së Shtetit ka evoluar tutje në thellimin e këtij bashkëpunimi në ndërtimin e mekanizmave të rinj, ndoshta një ditë do të automatizohet tërë procesi dhe shoqëria civile të mos ketë nevojë t’i dërgojë ato në formë të shkresave ashtu siç ndodh tani mirëpo me ekzistu një platformë online e cila ia lehtëson punën shoqërisë civile në këtë drejtim” – ka thënë Kreshnik Gashi, redaktor menaxhues në KALLXO.com, i cili ka qenë trajner dhe monitorues në kuadër të kësaj nisme.

Një nga organizatat që ka dorëzuar letër informuese në Prokurorinë e Prizrenit është Instituti Demokratik i Kosovës (KDI). Në qershor të vitit 2021, ata kishin dërguar letër informuese në lidhje me tenderin për ndërtimin e spitalit “Nëna dhe Fëmija”.

“KDI kishte raportuar dyshimet për vepra penale, përfshirë favorizimin nga institucionet mbikëqyrëse, në rastin e dhënies së kontratës për ndërtimin e spitalit “Nëna dhe Fëmija” në Prizren. Raportimi online është përcjellë edhe nga raportimi fizik, mbështetur me dokumentacionin dhe informacionet publike të cilat kemi poseduar nga Kosova, Banka Qendrore e Malit të Zi, Administrata Tatimore në Mal të Zi, dhe Gjykata Ekonomike në Mal të Zi. Sipas informacioneve të fundit që posedojmë, ky rast është ende nën hetime” – tha Diana Metushi nga KDI.

Një organizatë tjetër që kishte dërguar letër informuese në Prokurorinë e Shtetit është edhe Shoqata e të Drejtave të Pacientëve të Kosovës. Në vitin 2021, Auditori i brendshëm në SHSKUK kishte evidentuar shkelje në Klinikën e Radiologjisë për kujdestaritë.

“PRAK i kishte dërguar njoftim Kryeprokurorit të Shtetit që me hetu si rast, një herë më ka intervistu Policia në cilësinë e dëshmitarit, e kemi dergu raportin edhe nuk e dimë ku janë me rastin”, thuhet në përgjigjen e drejtorit të PRAK, Besim Kodra.

Nga Këshilli Prokurorial i Kosovës thonë se duke u bazuar në politikat strategjike dhe me qëllim të ngritjes dhe fuqizimit të transparencës për aktivitetet dhe punën e tij, përgjatë viteve 2012-2023, ka lidhur një numër të madh marrëveshjesh me organizatat e ndryshme joqeveritare në vend.

“Natyrisht se bashkëpunimi ka përkuar dhe vazhdon edhe me punën praktike të studentëve të drejtësisë, me marrjen e komenteve për çështjet nënligjore në kuadër të sistemit prokurorial, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, fokusimit në çështjet me interes publik lidhur me rastet e korrupsionit dhe veprave të tjera të dënueshme që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar dhe jo vetëm atij, si dhe veprave të ndryshme penale” – thuhet në përgjigjen e KPK-së.

Ky artikull është përgatitur nga BIRN-i përmes mbështetjes nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.