Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Aktakuzë për Luftëtarin e Dyshuar të ‘Al-Nusras’

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit, N.A. për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist.

Sipas aktakuzës, i pandehuri N.A. i është bashkuar organizatës terroriste të quajtur “Al-Nusra” nё janar tё vitit 2014.

Duke shfrytëzuar rrugën ajrore përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, i pandehuri ka udhëtuar për në Stamboll, e pastaj pёr nё Gazientep (qytet në Turqi afёr kufirit me Sirinё).

Prej aty i pandehuri N.A. ka arritur tё kalojë nё territorin e Sirisё, ku është bёrë pjesё e organizatës terroriste “Al Nusra”.

Sipas aktakuzës, pas qëndrimit njëjavor nё Siri, i pandehuri është kthyer nё Kosovё përmes rrugëve tё njëjta.

Ndërsa, kur sërish ka provuar të shkojë për nё Siri duke shfrytëzuar rrugën Shkup-Stamboll, në aeroportin e Stambollit autoritetet turke e ndalojnë atë e pastaj e dëbojnë pёr shkak tё lidhjes së tij me zonёn e luftёs.

“Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, njofton PSRK përmes një komunikate.

Aktakuzën e ka ngritur një prokuror vendor i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprën e kryer penale dhe ta dënojë sipas ligjit.