Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: Gjykata Themelore e Gjilanit

Aktakuzë për keqpërdorim seksual të personave të mitur në Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit J.D., për shkak të veprës penale ‘’keqpërdorimi seksual i personave nën moshën 16 vjeçare’’.

Sipas aktakuzës, në muajin mars të vitit 2018, i pandehuri J.D., i lindur në vitit 1977, nga Komuna e Kamenicës, e ka marrë të dëmtuarën e mitur K.S. të moshës trembëdhjetë vjeçare, me automjetin e tij kombi dhe e ka dërguar në Prizren, ku edhe e kanë kaluar natën në automjet dhe për qëllime seksuale, e ka keqpërdorur seksualisht të njëjtën.

“Vlen të theksohet se, i pandehuri e ka marrë me vete në Prizren, tri herë të dëmtuarën e mitur, së bashku me dy vajzat e tij të mitura. Në këtë mënyrë, i pandehuri ka kryer veprën penale ‘’keqpërdorimi seksual i personave nën moshën 16 vjeçare’’, e paraparë në Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Gjilan.

Në fund, Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës kompetente në Gjilan, që të pandehurin ta shpallë fajtor, për veprën e kryer penale dhe ndaj të njëjtit të shqiptojë dënimin e merituar sipas ligjit.