Gjykata e Gjilanit

YIHR e quan skandaloz dënimin me 300 euro ndaj të akuzuarit për dhunë fizike ndaj gruas

Iniciativa e të rinjve për të drejtat e njeriut’ (YIHR) e ka quajtur ‘skandaloz’ dënimin prej 300 euro të Gjykatës Themelore të Gjilanit ndaj një burri për ushtrim të dhunës fizike ndaj gruas.

YIHR ka njoftuar se ‘gjyqtarja Snezana Mihajloviq ka shqiptuar dënim me gjobë prej 300 euro dhe e ka cilësuar veprën penale lëndim i lehtë trupor, ndaj të pandehurit i cili ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij’.

Përmes një reagimi, YIHR thekson se një dënim i tillë e ‘legjitimin dhunën në familje e posaçërisht ndaj grave si një ndër grupet më të shtypura në shoqëri’ duke u bërë thirrje institucioneve që të trajtojnë më  seriozitet dhe në përputhje me ligjin rastet e dhunës në familje.

Kjo iniciativë vlerëson se Gjykata në Gjilan ka dështuar në dhënien e një dënimi meritor për një vepër të tillë. Sipas YIHRM dënimi minimal për këtë vepër do të duhej të ishte 6 muaj burgim.

“Gjithashtu, i bëjmë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të analizojë këtë rast dhe të funksionalizojë mekanizmat e saj në lidhje me rastet kur gjyqtarët nuk ushtrojnë detyrën e tyre përkitazi me legjislacionin në fuqi dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura drejt parandalimit të krimeve të tilla”, vazhdon reagimi.