Aktakuzë ndaj Tri Mjekeve në Gjilan

Mësuesja Spahiu kishte vdekur pas komplikimeve gjatë lindjes.

Lajmin për ngritjen e aktakuzës ndaj Maxhide Shaqirit, Hamide Zeqirit dhe Vjollca Kosumit e bëri të ditur me anë të një komunikate Prokuroria e Shtetit.

Sipas prokurorisë, Shaqiri e Zeqiri akuzohen për trajtim të papërgjegjshëm mjekësor, ndërsa Kosumi për mosdhënie të ndihmës mjekësore.

“M. Sh dhe H. Z. me datë 3 mars 2016 në cilësinë e personave zyrtarë në Spitalin Rajonal të Gjilanit, në repartin e sallës së lindjes, me rastin e trajtimit të pacientes, tani të ndjerës A. S., gjatë dhënies së ndihmës mjekësore të lindjes nga pakujdesia kanë përdorur mjetet e papërshtatshme të mjekimit ndaj pacientes duke i caktuar marrjen e barnave të cilat nuk kanë qenë mjete adekuate për të,” thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Prokuroria sqaron edhe veprimet e mjekes Kosumi.

“E pandehura V. K., me datë 2 mars 2016 si mjeke kujdestare në kundërshtim me detyrat e saj ka refuzuar dhe nuk i ka ofruar ndihmën mjekësore pacientes, tani të ndjerës A.S, para aktit të lindjes edhe pse ka qenë e vetëdijshme se mosveprimi i tillë mund të rezultojë me pasoja për shëndetin e pacientes dhe bebes së saj,” sqaron komunikata.

Tri mjekeve të Spitalit Regjional të Gjilanit arresti shtëpiak u ishte caktuar më 24 mars, ndërsa këtë masë e la në fuqi edhe Gjykata e Apelit.

http://kallxo.com/arrest-shtepiak-per-tre-mjeket-e-gjilanit/

http://kallxo.com/mbetet-ne-fuqi-arresti-shtepiak-per-mjeket/