Aktakuzë e re në rastin e zëvendësministrit Bujar Nerjovaj

Në seancën e sotme të gjykimit të zëvendësministrit të Administratës Publike, Bujar Nerjovaj, i cili po përballet me akuza për keqpërdorim të pozitës për kohën sa ishte drejtor i Inspektoratit në Prizren do të duhej të jepej fjala përfundimtare.

Por, kjo nuk ka ndodhur pasi që procesi gjyqësor para Gjykatës së Prizrenit ka marrë kthesë të re, pasi që i akuzuari tashmë po përballet me aktakuzë të re.

Përderisa pritej të jepej fjala përfundimtare, prokurori Metush Biraj është deklaruar për një precizim të aktakuzës.

Aktakuza ndaj Nerjovajt, pjesa kryesore ose dispozitivi, përmbante gjithsej 20 rreshta.

Prokurori Biraj kishte deklaraur se precizimi duhej bërë në dispozitivin e aktakuzës, ku duhej të fshiheshin komplet 6 rreshtat e parë dhe duhet të shtohen fjalët se “Nerjovaj si person zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, ashtu që në cilësi të drejtorit pasi i ka ndryshuar konkluzionet, nga inspektorët e ndërtimtarisë, nuk i ka mundësuar që inspetkorët të procedojnë më tutje në ekzekutimin të konkluzionit”.

Por atë që prokurori Metush Biraj e quajti precizim e kundërshtoi mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Blerim Mazreku, i cili nuk e paraqiti fjalën përfundimtare që e kishte përgatitur.

“Konsideroj se është bërë ndryshim esencial i aktakuzës. Kemi të bëjmë me ndryshim esencial të elementit të veprës penale, nga mosveprimi siç ka qenë aktakuza, tash Prokuroria thirret në veprim dhe tejkalim të kompetencave, andaj konsideroj se nëse trupi gjykues në ktëtë fazë lejon këtë ndryshim cenon dhe kushtëzon të drejtën e mbrojtjes”, deklaroi avokati Mazreku.

Mbrojtësi i Nerjovjat kishte kërkuar nga trupi gjykues ndërprerjen e gjykimit deri kur mbrojtja të përgatitet të paraqitet para trupit gjykues sipas aktakuzës së re, duke konsideruar se Prokuroria ishte jashtë afatit për të bërë ndryshimet e cekura.

Në këtë situate, trupi gjykues me kryetar gjyqtarin Xheladin Osmani dhe anëtarët Ajser Skenderi dhe Artan Sejrani, precizimin e aktakuzës nga ana e prokurorit e konsideruan si aktakuzë të re.

Shqyrtimi gjyqësor ishte ndërprerë dhe të akuzuarit Bujar Nerjovajt dhe mbrojtësit të tij i është dhënë kohë e mjaftueshme për t’u përgaditur për gjykim sipas aktakuzës së re.

Ditën e nesërme pritet të vazhdojë gjykimi ndaj zëvendësministrit Nerjovaj, i cili do të paraqet mbrojtjen e tij përsëri para trupit gjykues, tash sipas ndryshimeve të bëra në aktakuzë.

Por, cilat janë ndryshimet thelbësore që i bëri prokurori në seancën e fjalës përfundimtare ?

Një analizë dhe krahasim ndërmjet aktakuzës së parë dhe ndryshimet e paraqitura nga Prokuroria e Prizrenit i referohen veprimeve të të akuzuarit dhe ndryshimet  e paraqitura në aspektin juridik kanë dallime për nga aktakuza sipas të cilës u zhvillua gjykimi.

Përderisa sipas aktakuzës së mëhershme Nerjovaj akuzohej se me “mosveprim” nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, Prokuroria konsideronte se Nerjovaj në cilësi të drejtorit “nuk ka ndërmarrë masa për t’i siguruar kushtet adekuate për ekzekutim të konkluzioneve”.

Ndërsa pas zhvillimit të gjykimit dhe pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe pas dëgjimit të vetë të akuzuarit, në ndryshimet  e paraqitura nga ana e prokurorit paraqiten këto elemente që nuk kanë qenë, “Si person zyrtar i tejkalon kompetencat e tij”, si dhe ndryshimi tjetër që nuk ka qenë në aktakuzën e mëhershme sipas Prokurorisë, “i akuzuari Nerjovaj në cilësi të drejtorit pasi i ka nënshkruar konkluzionet e përpiluara nga inspektorët, ‘ nuk ua ka mundësuar që të procedojnë më tutje në ekzekutim të konkluzionit”.

Këto ndryshime që prokurori fillimisht i paraqiti si precizim i aktakuzës, trupi gjykues e konsideroi aktakuzë të re, sipas të cilës do të vazhdon gjykimi ndaj Bujar Nerjovajt.

Kallxo.com lidhur me rastin ka raportuar nga momenti i ngritjes së aktakuzës.

Ish-drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit fillimisht kishte  pranuar që të negociojë një marrëveshje për pranim të fajësisë për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Por i njëjti i kishte rënë “pishman” dhe ka pranuar që të vazhdohet në gjykim.

https://kallxo.com/zevendesministri-hyn-ne-negociata-me-prokurorine-per-marreveshje-per-pranimin-e-fajesise/

Dsëhmitar në këtë proces gjyqësor ishte paraqitur edhe ish- kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja.

https://kallxo.com/ramadan-muja-deshmitar-ne-gjykimin-e-zevendesministrit-te-qeverise-haradinaj/

Bujar Nerjovaj më parë në një deklarim të tij për KALLXO.com e kishte quajtur të pakuptimtë aktakuzën e ngritur ndaj tij nga Prokuroria e Prizrenit për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, në kohën sa ishte drejtor i Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren.

https://kallxo.com/pas-aktakuzes-ndaj-zv-ministrit-nerjovaj-reagon-kryeministri-haradinaj/