Ramadan Muja dëshmitar në gjykimin e zëvendësministrit të Qeverisë Haradinaj

Ish-kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, sot ka dëshmuar në gjykimin e ish-drejtorit të tij, Bujar Nerjovaj.

Nerjovaj, tash me pozitë të zëvendësministër i Administratës Publike, po përballet me akuza për keqpëdorim të pozitës për kohën sa ishte drejtor i Inspektoratit në Prizren, i emëruar nga kryetari i atëhershëm dhe dëshmitari i sotëm Ramadan Muja.

Para seancës, Muja dhe Nerjovaj u takuan në korridorin e Gjykatës, të cilët pasi u përshëndetën dhe biseduan për pak minuta hynë të ndarë në sallën e gjykimit.

Ramadan Muja ishte propozuar si dëshmtiar nga prokurori i rastit, Metush Biraj, pasi që ish-kryetari i Komunës ishte marrë në pyetje si dëshmitar edhe në Prokurori gjatë kohës së hetimeve.

Ramadan Muja, tash në pension, pasi u afrua para trupit gjykues dhe iu ofrua një karrige për të mos qëndruar gjatë në këmbë, filloi të përgjigjet në pyetjet.

Fillimisht ai tregoi për mënyrën e menaxhimit të drejtorive të Komunës së Prizrenit.

Muja tregoi se një herë në javë mbante takime dhe mbledhje me të gjithë drejtorët e tij, ku diskutonin për problemet e Komunës dhe për 3 hotelet me mbindërtim pa leje dhe 1 hotel i tëri i ndërtuar pa leje. Dëshmitari tha se nuk ka pasur njohuri dhe se nuk ka qenë kompetencë e tij.

Përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, e cila është e dëmtuar në këtë proces, Arben Krasniqi, pyeti dëshmitarin Muja nëse në vendimet e inspektorëve për rrënim të objekteve pa leje ishte edhe emri i tij, në cilësi të kryetarit.

Por Mujës nuk i kujtohej të ketë nënshkruar ndonjë vendim me të cilin kërkohej rrënimi i ndonjë objekti.

“Nuk ka qenë kompetencë e imja, ka qenë detyrë e Drejtorisë së Inspektorateve kjo punë”, tha ai.

Një situatë me shkëmbim fjalësh ndodhi ndërmjet Mujës dhe përfaqësuesit të Komunës – Krasniqit, kur ky i fundit pas përgjigjes tha që “dëshmitari nuk më kuptoi mua dhe nuk më dha përgjigje në pyetjen time”.

Kjo ngjali reagimin e Ramadan Mujës, i cili u kthye nga përfaqësuesi i Komunës dhe me dorë duke i bërë shenjë të ulet i tha që shumë mirë e di se çfarë veprime kishte ndërmarrë sa ka qenë kryetar.

“Unë i kam 51 vjet përvojë pune, e di sa çka nënshkruaj dhe e di për detyrën time atëherë”, ishte reagimi i Ramadan Mujës ndaj Krasniqit.

KALLXO.com ka raportuar se udhëheqësi i Zyrës Ligjore në Komunën e Prizrenit, Arben Krasniqi ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Prizrenit pikërisht ndaj Ramadan Mujës, për kohën sa e ushtronte funksionin e kryetarit të Prizrenit, me pretendimin se i njëjti ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Për ish-kryetarin Ramadan Muja kishte pyetje mbrojtësi i të akuzuarit Nerjovaj, avokati Blerim Mazreku.

Avokati i kërkoi Ramadan Mujës të sqarohej më qartë dhe sigurt se a kishte nënshkruar ndonjë konkluzion për rrënim të objekteve pa leje, për rrënim të dhunshëm.

Muja përsëriti se “unë e di se në asnjë moment nuk jam marrë me rrënimin e objekteve që përmenden në aktakuzë, atyre 4 hoteleve, sepse ka qenë kompetencë e Drejtorive të Inspektoratit”, duke shtuar se si kryetar ka pasur punë tjera të Komunës.

Menjëherë pas kësaj avoakti Mazreku i paraqiti Ramadan Mujës dokumentin “Konkluzion për lejimin e ekzekutimit”, në të cilin dokument përveç nënshkrimit të inspektorit përkatës dhe drejtorit Nerjovaj gjendej edhe nënshkrimi i Mujës në cilësi të kryetarit të Komunës.

Muja pas shikimit të këtij dokumenti pranoi se aty gjendej nënshkrimi i tij.

“Po, po nënshkrimi im qenka, por në fillim thash se nuk më kujtohet edhe pse kjo ka qenë kompetencë e drejtorit”, tha dëshmitari.

Kur ish-drejtori i Mujës, Bujar Nerjovaj, i parashtroi pyetje për buxhetin e Komunës për Drejtorinë e Inspektoratit, Ramadan Muja shfaqi pakënaqësi për trajtimin që po i bëhej si dëshmitar.

“Është dashtë prokurori, e gjykata e avokati me marrë prej administratës komunale dokumente e prova për me shiku a ka pasë buxhet ajo, se unë nuk e mbaj mend”, tha Ramadan Muja.

Ndaj këtij deklarimi të dëshmitarit reagoi anëtarja e trupit gjykues gjyqtarja Ajser Skenderi, e cila i tha se provat i mbledh prokurori dhe Gjykata i vlerëson ato dhe e gjykon rastin, dhe i sugjeroi të njëjtit të përgjigjej në pyetje të të akuzuarit.

“Po kështu po del që unë këtu po merrem në pyetje si i akuzuar dhe jo si dëshmitar”, tha Muja dhe me këtë e përfundoi dëshminë e tij në këtë proces.

Me të përfunduar dëshminë e tij, Ramadan Muja para largimit u përshëndet edhe një herë me ish-drejtorin e tij Nerjovaj, i cili u ngrit në këmbë para se të largohej ish-kryetari.

“Bujar, ditën e mirë!”, tha dëshmitari dhe i shtrënguar duart njëri me tjetrin, para se të largohej nga salla.

Pas Ramadna Mujës si dëshmitar u paraqit edhe ekspertja e arkitekturës, e cila ka punuar ekspertizën për dëmet e pësuara nga Komuna e Prizrenit me rastin e mbindërtimit të 3 hoteleve në Prizren dhe ndërtimin e një hoteli në tërësi pa leje nga Komuna e Prizrenit.

Sipas aktakuzës nga detajet e tjera konsiderohet se nga  mospagesa e taksave komunale, me të cilat Prokuroria pretendon se këto katër objekte hoteliere kanë dëmtuar buxhetin e Komunës së Prizrenit për 36 mijë e 143 euro.

Sipas aktakuzës, ish-drejtori Nerjovaj, në vazhdimësi në periudhën kohore 05.12.2011 e deri më 21.02.2013, pasi që është njoftuar me konkluzionet e inspektorëve të ndërtimtarisë, nuk i ka ndërmarrë masat për t`i siguruar kushtet adekuate për ekzekutimin e konkluzionit të inspektorëve.

Në bazë të këtyre konkluzioneve të inspektoratit, Prokuroria e Prizrenit pretendon se Nerjovaj si drejtor i Inspektoratit, është dashur të bëjë rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimit në objektet hoteliere si në vijim: Hotel ”Shadërvan”, hotel ”Classic”,  hotel “Centrum” (të gjitha këto me mbindërtime ) si dhe rrënimi i hotel ”Kaqinari” (sipas aktakuzës i ndërtuar pa leje) të gjitha në Prizren, si dhe objektet hoteliere në fjalë, të gjitha me lokacion gjenden në zonën e parë të Qendrës Historike në Prizren.

Sipas aktakuzës me mosveprimin e ish-drejtorit Nerjovaj është dëmtuar kujtesa kolektive e qytetit, në këtë kuadër është dëmtuar edhe trashëgimia kulturore e arkitekturës për të cilën kujdeset Zyra e Qendrës Historike të Prizrenit.