Bujar Nerjovaj

Pas aktakuzës ndaj zv/ministrit Nerjovaj, reagon kryeministri Haradinaj

 

Kryeministri Ramush Haradinaj është deklaruar për aktakuzën ndaj zëvendësministrit të Administratës Publike,  Bujar Nerjovaj për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kryeministri Haradinaj tha se nuk do veprojë menjëherë me shkarkim të zëvendësministrit, pasi ai akuzohet për kohën sa ka qenë drejtor në Prizren.

“Aktakuza ka të bëjë me kohën kur ky ka qenë drejtor atje. Mu me vjen mirë që ligji po e bën punën e vet, pra për këdo qoftë. Nuk ka amnisti për askënd. Veprim politik si tipin e shkarkimit si ka ndodhë me zotëri Cena, nuk do të ndërmarrë menjëherë për shkak se du me e pa se si është vepra”, tha Haradinaj gjatë homazheve që bëri para shtatores së heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë.

Kryeministri Haradinaj shtoi se amnisti nuk do të ketë për asnjë zyrtar, nga cilado parti që i përket.

“Por nëse një zëvendëskryeministër, një ministër ose dikush akuzohet në qeveri, detyrën që ua kam besu unë, atëherë kuptohet që do të veprojë menjëherë. Nuk ka lidhje a janë zëvendësministra , ministra a veç i partisë time apo cilësdo parti, askush nuk ka amnisti në këto tema”, përfundoi ai.

Ndërkaq, zëvendësministri i Administratës Publike, Bujar Nerjovaj e ka quajtur të pakuptimtë, aktakuzën e ngritur ndaj tij nga Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, në kohën sa ishte drejtor i Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren.

Ai deklaroi për KALLXO.com se është i gatshëm të dorëhiqet në rast se ka bazë në akuzat ndaj tij.

Zëvendësministri Nerjova në zgjedhjet e kaluara komunale ka qenë kandidat për Asamblenë Komunale të Prizrenit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

https://kallxo.com/flet-zv-ministri-i-akuzuar-i-partise-se-kryeministrit-haradinaj/