Dita e Akreditimit | Foto: KALLXO.com

Akreditimi i Laboratorëve Kusht për Eksport

Për këtë arsye akreditimi u vlerësua shumë i rëndësishëm në tryezën e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Drejtoria e Akreditimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Tryeza u zhvillua në Ditën Ndërkombëtare për Akreditim.

Në hyrje të kësaj tryeze, zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati, tha së MSA-ja ka krijuar favore, por dhe kushte që duhet të plotësohen.

“Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit për Kosovën ka favore të mëdha, mirëpo njëkohësisht ne e dimë se ato favore përcillen edhe me obligime të cilët ne duhet t’i kryejmë nëse dëshirojmë që produktet tona të gjejnë vend në bashkësinë evropiane,” tha Kastrati.

Ai gjithashtu tha se laboratorët duhet të jenë të akredituar me qëllim që të verifikohen produktet dhe të përgatiten për eksport.

Ndërsa, Libor Chlad, përfaqësueses nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se për të eksportuar Kosovës i duhet një bazë e shëndoshë industriale për eksport dhe se legjislatura kërkon mallra kualitative.

“Në Kosovë duhet të ekzistojë një bazë e shëndoshë industriale për eksport dhe për këtë aspekt nevojitet një akreditim. Gjithashtu, legjislatura e krijuar kërkon mallra kualitative,” sugjeroi Chlad.

Të pranishmit pastaj vazhduan me diskutimin për përfitimet dhe sfidat që i sjell akreditimi.

Në vitin 2004, Kosova kishte miratuar Ligjin për Akreditim.

Në vend janë të akredituara 38 trupa vlerësues, prej tyre 30 janë laboratorë vlerësues, një laborator kalibrues. 8 trupa inspektues dhe katër trupa të vlerësimit të konformitetit janë në procedurë për akreditim.

Dita Ndërkombëtare për Akreditim shënohet si nismë globale e iniciuar bashkërisht nga Forumi Ndërkombëtar i Akreditimit  dhe Laboratori Ndërkombëtar i Bashkëpunimit për Akredim, ndërsa ka për qëllim të rrisë vetëdijen mbi rëndësinë e akreditimit.

Këtë vit po diskutohet se si akreditimi të bëhet një mjet global për të mbështetur politikat publike lokale dhe qendrore.