Kuvendi Komunal i Prishtinës - Foto: Kallxo.com

Ahmeti: Bastisjet të Lidhura me Tjetërsimet në Prishtinë

Ahmeti në një postim në faqen e tij në Facebook tha se krimi me tjetërsime pronash dhe ndërtime pa leje në kohën kur ai nuk drejtonte kryeqytetin ka qenë marramendës.

“Ka më shumë se dy vjet që flasim për atë që ka ndodhur në komunën e Prishtinës, prej ndërtimeve pa leje, e deri te tjetërsimet e pronave komunale. Kemi thënë që shifrat janë marramendëse. Kemi deponuar kallëzime penale e kemi kërkuar hetime urgjente,” shkroi Ahmeti.

Kryetari i Prishtinës thotë se është bastisur edhe një ish-zyrtar komunal.

“Krimi i organizuar ka qenë i thellë dhe gjithëpërfshirës. Këto bastisje që po ndodhin sot tashmë kanë prekur edhe ish-drejtuesit në komunë e ndërmarrje publike të Prishtinës. Sabedin Haxhiu ka qenë edhe drejtor në kadastër edhe drejtor i Ndërmarrjes Publike Banesore,” vijoi postimi i Ahmetit.

Kryetari i Prishtinës thotë se do ta vazhdojë luftën kundër krimit.

“Besoj se po bëhet dita ditës me e qartë se pse gjithë ajo zhurmë në Kuvendin Komunal. Po ashtu, po bëhet më e qartë se pse nuk duhet të lejojmë kthimin e ndërmarrjeve publike komunale në duar të krimit. Ne nuk do të ndalemi në këtë luftë kundër krimit, korrupsionit dhe të këqijave në vendin tonë,’ përfundon Ahmeti.

KALLXO.com shkroi sot vazhdimisht për bastisjet që ndodhën nëpër Kosovë, ku i kërkuar ishte edhe deputeti Azem Syla.

http://kallxo.com/policia-largohet-nga-fshati-azem-syles-video/