Përparim Rama publikon raport 23 faqesh për punët e tij në 114 ditët si kryetar

Komuna e Prishtinës ka publikuar sot një raport me punët me të cilat janë marrë e disa tjera që kanë marrë epilog, që nga dita kur detyrën e kryetarit të Prishtinës e ka marrë Përparim Rama.

Më 17 mars janë bërë 100 ditë nga qeverisja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e cila nga janari qeverisë bashkë me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ndërsa raporti i komunës, përfshin datat që nga 7 dhjetori 2021 deri më 31 mars 2022.

“Ky është vetëm fillimi. E rëndësishmja është se jemi vënë, tashmë me hapa gjithnjë më të sigurt e më të shpejtë, në rrugë të mbarë”, ka shkruar mes tjerash Rama në fillim të prezantimit të raportin e tij të parë të punës.

Në këtë raport përmenden disa projekte kapitale me të cilat thonë se janë marrë gjatë kësaj kohë siç është; Unaza e Mesme, Muzeu i Artit Modern “Te Tulltorja”, Rrugën Muharrem Fejza, Platforma lidhëse e Pallatit të Rinisë me lagjen Arbëria, Rruga A, Solar4Kosovo dhe Qendra e trajtimit të qenve endacak.

Projekti për ndërtimin e unazës së mesme të qytetit, thuhet se në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) dhe me Ministrinë e Infrastrukturës është dakorduar për vijën e unazës së mesme të Prishtinës. Në këtë raport kanë paralajmëruar se në muajt e ardhshëm do të bëhet projekti konkret i kësaj unaze.

Ndërkaq, Muzeu i Artit Modern “Të tulltorja” – është kompletuar dokumentacioni që do të shërbejë për shpalljen e konkursit ndërkombëtarë për projektin.

Për rrugën e shumë përfolur për situatën e saj kaotike, për shkak të ngecjes së punimeve – “Muharrem Fejza” thuhet në raport se tashmë është arritur marrëveshja me disa pronarë përgjatë kësaj rruge në mënyrë që të lirohet një segment kyç i rrugës dhe të vazhdohet me ndërtimin e rrugës.

Njëkohësisht thuhet se është arritur që të lirohet rruga nga disa pengesa – baraka, të cilat nuk lejonin vazhdimin e punimeve në këtë rrugë. Është filluar puna me planin dinamik 40-ditor të punës në këtë rrugë, ku do të trajtohet ndriçimi publik, kubëzat në trotuar, bordurat e dëmtuara dhe do të pastrohet i gjithë rrjeti i kanalizimit fekal dhe atmosferik.

Sa i përket platformës lidhëse e Pallatit të Rinisë me lagjen Arbëria, në raport thuhet se është kompletuar dokumentacioni që do të shërbejë për shpalljen e konkursit ndërkombëtarë për projektin.

Rruga A – projekti zbatues i rrugës është afër përfundimit. Gjatë muajit prill pritet të tenderohet pjesa e parë me një gjatësi rreth 2 km, që e trajton “Zonën e Kalabrisë” dhe “Prishtinës së Re”.

Ky projekt do të trajtojë edhe kolektorin e “Kalabrisë”, ku do të zgjidh një shqetësim të madh të banorëve të asaj zone përkatësisht problemin e kundërmimit.

Solar4Kosovo – krijimi i kushteve për fillimin e realizimit të projektit “Solar4Kosovo” i cili do të mundësoj kyçje në rrjetin e ngrohjes qendrore për 12 mijë familje, apo 60 mijë banorë të Komunës së Prishtinës.

Në raportin e punës 100 ditore është përmendur edhe vendimi për lirimin nga pagesa e përdorimit të trafikut urban për Policinë e Kosovës, FSK-në, Zjarrfikësit si dhe nxënësit e shkollave fillore.

Një vendim tjetër, të cilin e ka përmendur Komuna në raportin e saj, është edhe vendimi për ndryshimin e cmimores së auto-taksive.

E vendimet tjera që janë përmend në raport, e që janë shoqëruar me protesta është anulimi i vendimit për miratimin e Planit Rregullues të hollësishëm për lagjen “Kalabria” dhe anulimi i vendimit për miratimin e ndryshimit dhe plotësimit të pjesërishëm të bllokut urban “D2” në kuadër të Planit rregullues “Arbëria 3.

Në ditën kur këto vendime do të votoheshin në seancën e kuvendit komunal më 18 mars 2022, banorët protestuan para ndërtesës së Komunës së Prishtinës.

Këto vendime kryetari Rama i shfuqizoi me arsyetimin se janë kthyer të jashtëligjshme nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL). Ankesa kyçe e banorëve të lagjes Kalabria ishte që mos të zbritet koeficienti nga 2.4 sa është miratuar nga qeverisja e kaluar.

Mes tjerash raporti thekson edhe lirimin e disa hapësirave publike dhe kompletimin e dosjeve për projektet: Parku në Kampusin e Universitetit”, “Stacioni i Autobusëve”, “Njëra pjesë e lagjes Kalabria”, “Zona e Vjetër e Qytetit”, “Tregu” dhe “Soliterat në lagjen Ulpiana”.

E një problematikë që më së shumti ka marrë vëmendjen e kryetarit Rama është ajo e trajtimit të qenve endacak.

Tutje raporti thekson disa edhe takimet e shumta të Ramës të zhvilluara gjatë kësaj periudhe.

Pa dalë të raporti i punës së drejtorive, një faqe e raportit i është kushtuar 11 memorandumeve të bashkëpunimit për të cilat thonë se 6 janë të përfunduara dhe 5 në proces.

Raportin e plotë 20-faqësh mund ta lexoni në këtë LINK.