Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - Foto: Rtv21

AGK kundërshton nismën për hartimin e Ligjit për Mediat

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në mbledhjen e datës 07.05.2018 ka marrë iniciativë për hartimin e draft-ligjit të mediave në Kosovë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës si palë e interesit të veçantë në këtë fushë nuk është njoftuar fare nga Komisioni parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në lidhje me këtë nismë ligjore si dhe nuk është në dijeni për qëllimin që bartë në vetvete hartimi i një drafti i cili do të normonte fushën e medieve në Kosovë.

Prandaj, mospërfshirjen në konsultime që në fazën fillestare e akterëve relevant, të cilët merren me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të gazetarëve si dhe, trupave të tjerë vetërregullues që e mbulojnë fushën e mediave në Kosovë konsiderojmë se është një tendencë politike për ta kontrolluar, kufizuar dhe cenuar lirinë e shprehjes, thuhet në njoftimin e dërguar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

AGK në parim kundërshton çfarëdo nisme legjislative nga cilido institucion i cili më parë nuk konsultohet me palët e interesit si dhe nuk i bën të ditura arsyetimet e qëllimit për hartimin e një ligji, në këtë rast Ligjit për mediat në Kosovë.

“Kosova ka një gamë të gjerë të ligjeve pozitive të cilat në mënyrë të qartë dhe të drejtë rregullojnë shumë fusha të cilat ndërlidhen drejtpërsëdrejti më lirinë e shprehjes, mirëpo ajo që mungon në vazhdimësi është vullneti politik dhe institucional për t’i zbatuar në praktikë këto ligje”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

http://kallxo.com/kmshk-kunder-iniciatives-per-hartimin-e-ligjit-per-media/

Tutje në njoftim thuhet se andaj, inkurajojmë të gjitha institucionet e vendit që para se të fillojnë çfarëdo iniciative për hartimin e ligjeve të reja, të angazhohen maksimalisht në zbatimin e ligjeve aktuale sepse zbatimi i tyre pashmangshëm ndikon një krijimin e një ambienti të sigurt për gazetarët dhe rritjen e profesionalizmit te mediet./21Media