Foto: Artan Abrashi, Facebook
Deputeti i LVV-së: Zajednica nuk kalon
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi ka reaguar pas deklaratës së këshilltarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar të cilët kanë ritheksuar domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Abrashi ka thënë se “Zajednica nuk kalon”.
“Nuk e di çka Vuqiqi e Brnabici i kanë premtuar Cholletit dhe Escobarit, por: Zajednica nuk kalon!”- ka shkruar në Facebook ai.
Chollet dhe Escobar kanë ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në një vështrim për Koha.net, ata kanë thënë se zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.
“Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH); Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që ta ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve”- kanë thënë ata.
Ata kanë elaboruar se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë një Asociacion i komunave serbe.
Themelimi i Asociacionit është permendur në propozimin e fundit evropian, një plan disa-pikësh i ofruar nga zyrtarët amerikanë e evropianë për Kosovën dhe Serbinë, ndonëse i njëjti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se e respekton konfidencialitetin e bisedimeve, ndërsa për asociacionin ka shtuar se ka insistim të ndryshëm ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes. Sipas tij marrëveshja për asociacionin, sipas draftit fillestar nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Chollet e Escobar ritheksojnë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit