Gjykimi për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës – Foto: KALLXO.com

Agjenti tregtar i ‘Stone Castle’ akuzohet për përvetësim të mbi 17 mijë eurove

Në gjykimin e agjentit tregtar të shitjes të ndërmarrjes “Stone Castle”, Vegim Krasniqi, rast ky i kthyer në rigjykim, është dëgjuar dëshmitari Ismet Ulaj.

Në lidhje me këtë dëshmitar prokurori i çështjes Kujtim Munishi deklaroi se nuk ka asnjë pyetje për të pasi që sipas tij, dëshmitari ka dëshmuar çdo gjë çfarë ka ditur para Prokurorisë kështu që prokurori nuk pati asnjë pyetje për të.

Edhe dëshmitari deklaroi se ai qëndron prapa deklaratave të tij të dhëna më herët.

“Qëndroj pranë asaj çka kam deklaruar gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe qëndroj pranë atij deklarimi”, tha dëshmitari.

Dëshmitarit pyetje i parashtroi vetë i akuzuari, i cili në këtë rigjykim po mbrohet vetë.

Ai dëshmitarin e pyeti nëse bizneset të cilat janë furnizuar me produktet e “Stone Castle”, borxhet e tyre t’i kenë paguar në “cash” apo përmes xhirollogarisë bankare.

“’Interexi’, restoranti ‘Vila Gërmia’, a i paguajnë borxhet e tyre përmes llogarisë apo me para në dorë përmes agjentit?”, e pyeti i akuzuari dëshmitarin.

Për këtë dëshmitari tha se mbi shumën 500 euro pagesa bëhej përmes xhirollogarisë bankare por që kishte pasur raste kur edhe nën shumën 500 euro pagesa është kryer përmes xhirollogarisë por edhe me para në dorë.

“Edhe ky e di se blerësit tonë varësisht se sa është shuma e faturës, përmbi 500 euro duhet përmes xhirollogarisë, mirëpo ka raste kur edhe nën shumën 500 euro janë paguar edhe përmes xhirollogarisë por edhe ‘cash’ tek agjentët tanë tregtarë. Por për rastin konkret nuk e di se si është paguar mirëpo ekzistojnë të dhënat në shërbimit tonë të kontabilitetit dhe nëse ka nevojë ne ju dëshmojmë”, tha dëshmitari.

I akuzuari dëshmitarin e pyeti edhe në lidhje me disa shpenzime për të cilat tha se i ka bërë në lidhje me renovimin e zyrës në të cilën kishte qëndruar i akuzuari.

“A janë pranuar shpenzimet e ndërtimit të zyrës, pajisjet, ndërtimi i zyrës etj.?”, e pyeti ai.

“Janë pranuar edhe më tepër sesa që kanë qenë shpenzimet reale. Ka qenë një zyrë e improvizuar në një kontejner, 2 me 2”, tha dëshmitari i cili shtoi se ndonëse ‘’Stone Castle” i kishte paguar këto shpenzime, sipas dëshmitarit vlera e atyre shpenzimeve ka qenë shumë e lartë si pasojë e fryrjes së faturave nga i akuzuari.

Gjatë kësaj seance u dha edhe fjala hyrëse e palëve me ç’rast prokurori i rastit Kujtim Munishi në fjalën hyrëse deklaroi se të gjitha pretendimet e Prokurorisë do të vërtetohen me prova një e nga një gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Ndërsa i akuzuari tha se në lidhje me shumën e parave për të cilën akuzohet do të vërtetohet se kjo shumë e parave është shpenzuar për ndërtimin dhe renovimin e zyrës dhe depos në Prishtinë.

“Për të gjitha këto shpenzime për këtë objekt do ta argumentoj me prova”, tha ai.

Kurse pala e dëmtuar, Agron Aliqkaj, deklaroi se ndërmarrja “Stone Castle”, është dëmtuar në para në vlerë prej 17.689.52 eurove dhe deklaroi se parashtrojnë kërkesë pasurore-juridike.

“Jam i dëmtuar për shumën prej 17 689.52 euro. Ne si ndërmarrje me asnjë vendim nuk i kemi lejuar që ai t’i bëjë të gjitha ato shpenzime, asnjë nga ato që i tha ai. Parashtroj kërkesë pasurore- juridike për kompensimin e shumës së lartëcekur duke shtuar edhe kamatën prej 8%”, tha ai.

Gjatë kësaj seance i akuzuari Vegim Krasniqi kërkoi nga trupi gjykues që për seancën e radhës si dëshmitar të ftohet pronari i “Stone Castle”, Rrustem Geci.

“Në cilësi të dëshmitarit të ftohet Rrustem Geci pronari i bodrumit “Stone Castle”, i cili jeton dhe vepron në Amerikë. Por ai shumë shpesh vjen në Kosovë. I vetmi ai njeri mundet me e zgjidh këtë nyje se këta kanë qenë aty dhe nuk e pranojnë”, tha i akuzuari.

Për këtë propozim të të akuzuarit kundërshtim pati nga prokurori si dhe nga përfaqësuesit e “Stone Castle”, të cilët thanë se pronari i kësaj ndërmarrjeje ndodhet në Amerikë dhe sipas tyre i akuzuari me këtë propozim po dëshiron që vetëm ta zvarrisë çështjen.

“Unë jam në gjendje me jia pagu të gjitha shpenzimet vetëm që ai të vijë, nëse edhe ai e thotë këtë të njëjtën atëherë unë e pranoj fajësinë”, u shpreh i akuzuari.

Propozimin e të akuzuarit e aprovoi trupi gjykues në krye me gjyqtarin Vesel Ismajli, andaj u  vendos që në seancën e radhës, e cila do të mbahet me datën 11 korrik, në cilësi të dëshmitarit të ftohet për të dëshmuar Rrustem Geci.

Gjykata Themelore në Prishtinë në dhjetor të vitit 20116, Vegim Krasniqin e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me 1 vit e tetë muaj dënim me kusht si dhe të njëjtin e kishte obliguar që ndërmarrjes “Stone Castle”, në Rahovec të ia kompensonte dëmin e shkaktuar në vlerë prej 17.689.52 eurove.

Në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës Themelore, prokurori i çështjes kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit e cila çështjen e ka kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës, Vegim Krasniqi në cilësinë e agjentit të shitjes për regjionin e Prishtinës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka keqpërdorë detyrën e tij dhe ndërmarrjes “Stone Castle Vineyeards and Winery L.L.C”, i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm material, në atë mënyrë që prej prillit të vitit 2010 e deri në shkurt të vitit 2011 duke kryer punët sipas autorizimit të paraparë në kontratë, ka keqpërdorur këtë autorizim në atë mënyrë ashtu që nga blerësit e prodhimeve të kësaj kompanie e përfaqësuar nga Shaqir Ademaj me seli në Rahovec ka përvetësuar shumën e parave prej 17.689.52 eurove, gjegjësisht ka marrë kundërvlerën e mallit të shitur dhe ato nuk i ka dorëzuar punëdhënësit sipas mënyrës së paraparë në kontratë.

Prandaj, sipas Prokurorisë, i akuzuari me anë të këtyre veprimeve ka kryer veprën penale përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës.