Foto: KALLXO.com

Aktorja e akuzuar për përvetësim të parave të mbledhura për bamirësi pretendon pafajësinë

Në gjykimin e aktores dhe drejtoreshës së OJQ-së “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, Edita Dula, e akuzuar për përvetësim të parave të dhëna nga njerëz të vullnetit të mirë për personat në nevojë, sot është dhënë fjala përfundimtare.

Gjatë seancës së sotme, prokurori i rastit, Rafet Halimi, tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor u vërtetua se e akuzuara ka kryer veprat penale qe i vihen në barrë, duke kërkuar që ajo të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit.

“Kontradiktore” i quajti prokurori dëshmitë e dëshmitarëve të propozuar nga ana e mbrojtësit. Ndërsa dëshmitë e dëshmitarëve të propozuara nga Prokuroria, ai tha se kanë qenë bindëse, të qarta, konkrete dhe te kyçura drejtpërdrejt në çështjet e organizatës.

Por, mendim tjetër pati mbrojtësi i të akuzuarës, avokati Asdren Hoxha.

Sipas tij, Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë se e mbrojtura e tij i ka kryer veprat që i vihen në barrë.

“E mbrojtura ime jo vetëm përmes paraqitjes së provave formale dhe materiale, por edhe përmes dëshmisë së saj, ka dëshmuar mjaftueshëm pafajësinë e saj”, tha ai.

Avokati tha se e mbrojtura e tij nuk ka përvetësuar asgjë dhe se organizata ekziston edhe sot dhe është më e fortë se asnjëherë.

Sipas aktakuzës, Edita Dula gjatë viteve 2016-2017, gjatë kohës sa ka qenë drejtoreshë e OJQ-së “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, me qëllim të fitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, në vazhdimësi ka përvetësuar paratë që i janë besuar, konkretisht dyshohet se ka përvetësuar  1,488.90 euro, të kësaj organizate.

Sipas Prokurorisë, nga shuma e përgjithshme dyshohet se Dula 1.088.90 euro i ka përvetësuar, duke i tërhequr nga llogaria bankare e OJQ-së, ndërsa shumën prej 400 eurosh i ka përvetësuar nga shuma që kanë dhënë njerëzit e vullnetit të mirë, që i kishin dhënë për personat në nevojë, në emër të festës së “Fitër Bajramit”.

Përveç veprës penale të përvetësimit në detyrë, ajo akuzohet nga Prokuroria edhe për veprën penale – keqpërdorim i besimit, pasi siç pretendon Prokuroria, Dula gjatë viteve 2016-2017, gjatë kohës sa ka qenë drejtoreshë e OJQ-së “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, ka vepruar në kundërshtim me statutin e datës 7 korrik 2017, në atë mënyrë që gjësendet që janë dhuruar për njerëzit në nevojë, të njëjtat i ka përvetësuar për vete.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë lidhur me këtë rast.