Ndertesa e Gjykates Themelore ne Mitrovice - Foto: Atdhe Mulla

Anulohen seancat ndaj ish zyrtarit të PTK-së i akuzuar për 71 mijë euro

Seancat e parapara të mbahen sot dhe nesër në rastin e të akuzuarit Dibran Fetahu, ish zyrtar i PTK-së, janë anuluar.

Anulimi është bërë për arsye se kryetari i trupit gjykues Burim Ademi gjendet në një seminar.

Paraprakisht gjykata ka njoftuar palët në këtë rast se seancat e caktuara me 14 dhe 15 janë anuluar dhe nuk mund të mbahen për shkak se gjykatësi i lëndës gjendej në një seminar.

Kurse seanca e radhës është caktuar të vazhdoj me 20 mars.

Prokuroria e Mitrovicës akuzon Dibran Fetahun se në janar të vitit 2014 në ndërtesën e PTK-së, përkatësisht në zyrën e arkës ndihmëse, në cilësinë e arkëtarit ndihmës kishte përvetësuar pasurinë që iu është besuar sipas detyrës.

Sipas akuzës ai këtë e kishte bëre duke mos i deklaruar në mënyre të vazhdueshme shitjet ditore të kartelave grithëse nga ana e sportelisteve, ashtu që të njëjtat nuk i ka deklaruar në tërësi gjegjësisht përmes librit të shitjes ka bërë nëndeklarimin e shitjes, me ç’rast ka përvetësuar shumën prej 71.875,52 euro.

Me këtë Fetahu akuzohet se ka kryer veprën penale “Përvetësim në detyrë”.

https://kallxo.com/i-akuzuari-per-pervetesimin-e-mbi-71-mije-eurove-te-ptk-se-nuk-paraqitet-ne-gjykate/