Agjencia që Mund të Funksionojë pa Bord

Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës (AAC) prezantoi raportin financiar për vitin 2015, i cili u lavdërua si për përpilim ashtu edhe për përmbajtje nga Komisioni për Buxhet dhe Financa.

Sipas raportit financiar kjo Agjenci ka pasur të hyra prej 1.5 milion euro, ndërsa ka shpenzuar 824 mijë euro apo 98 % të buxhetit të planifikuar.

Anëtarja e Komisionit nga radhët e LDK-së, Besa Gaxherri, theksoi se ky autoritet është treguar mjaft i suksesshëm pavarësisht që Bordi i tij nuk funksionon që nga viti 2013 dhe për këtë kërkoi sugjerim nga menaxhmenti se a mundet AAC të funksionojë pa bord.

“Konkretisht nuk kam diçka për buxhetin. Por, sipas raportit, puna e AAC-së duhet të mbikëqyret nga bordi prej pesë anëtarëve. Ky bord nuk ka qenë funksional që nga shtatori i viti 2013 dhe kisha pasë me ju pyet a ju ka pengu në procesin e punës suaj dhe me të vërtetë a ka nevojë për bord pasi ne jemi vonu në përzgjedhjen e tij?”, tha Gaxherri.

Drejtori ekzekutiv i AAC-së, Dritan Gjonbalaj, theksoi se Ligji e thotë qartë që duhet të ketë bord megjithatë mungesa e tij nuk ka shkaktuar pengesë në punën e tyre.

“Ligji për Aviacionin Civil e kërkon që AAC të ketë një bord prej pesë anëtarësh mbikëqyrës por pa kompetenca ekzekutive. Është vërejtur edhe në një punim së fundmi që AAC është një shembull që ka mujtë me funksionu edhe pa bord. Ligji qartë e specifikon se Bordi nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk mund të ndërhyjë në punën e menaxhmentit. Detyra e bordit është të njoftojë Kuvendin për parregullsitë e menaxhmentit, por mungesa e tij nuk na ka shkaktuar asnjë pengesë në punët e përditshme”, tha Gjonbalaj.

Gjonbalaj po ashtu theksoi shqetësimet e qytetarëve të cilët nuk kërkojnë kompenzim të dëmeve materiale në rast të anulimeve të fluturimeve posaçërisht anulimit për shkak çështjeve komerciale kur nuk mbushet aeroplani, e që nuk është përgjegjësi e AAC-së por e Ministrisë së Infrastrukturës që janë përgjegjës për rregullimin ekonomik të transportit ajror.

Nga Komisioni u propozua që brenda aeroportit të hapet një zyrë për ankesa direkte nga qytetarët në raste të anulimeve të fluturimeve në mënyrë që ata të ankohen direkt aty pa humbur kohë që këtë ta bëjnë në zyrat përkatëse në Prishtinë.

Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa u diskutua edhe paga e Auditorit të Përgjithshëm për të cilin duhet të amendamentohet ligji i veçantë pasi auditori i kaluar Lars Lage Olofsson është paguar nga ndërkombëtarët.

Komisioni vendosi që Auditori i Përgjithshëm, zëvendësdrejtori i Auditorit të Përgjithshëm, ndihmësauditorët e Përgjithshëm dhe auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit do të paguhen sipas ligjit të veçantë, ndërsa stafi tjetër mbështetës do të trajtohet në bazë të Ligjit për Shërbyes Civilë.