Ilustrim

LVV vazhdon traditën e PAN-it, punëson njerëzit e saj në ndërmarrje publike

Dy njerëz të partisë e cila drejton Qeverinë e vendit, Lëvizjes Vetëvendosje, janë zgjedhur në dy pozita të larta udhëheqëse në ndërmarrjen publike KRU “Hidroregjioni Jugor” në Prizren.

I pari, Feim Fetoshi, vitin e kaluar u zgjodh kryesues i bordit të ndërmarrjes nga Qeveria që drejtohet nga Albin Kurti.

Ndërsa, në tetor të këtij viti, bordi zgjodhi Vetim Shalën sekretar të KRU “Hidroregjioni Jugor” në Prizren.

Fetoshi nuk e mohon që është ende në partinë që udhëheq me ekzekutivin kosovar. Vetë Albin Kurti, si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në nëntor të vitit 2019 kishte prezantuar Feim Fetoshin si prurje të re në parti.

“Unë jam simpatizant i Vetëvendosjes, para katër-pesë viteve kam pasë aderu në Vetëvendosje, por prej atëherë nuk jam marrë me asnjë aktivitet. Jam simpatizant, e ndi veten edhe anëtar, me m’pyet dikush nuk e fsheh që jam në Vetëvendosje” – thotë ai.

Në anën tjetër, edhe Vetim Shala e pranon që është pjesë e Vetëvendosjes. Për Shalën, zgjedhja e tij në pozitën e sekretarit të ndërmarrjes publike nuk është shkelje ligjore.

Vetim Shala aktualisht është sekretar i LVV-së – dega në Prizren.

“Po, ende jam në Vetëvendosje. Unë nuk mendoj që ka ndonjë shkelje ligjore në pozitën që jam për shkak se pozita ime në subjektin politik ku unë jam nuk është pozicion vendimmarrës ose udhëheqëse në parti” – vlerëson ai.

Partia e Feim Fetoshit dhe Vetim Shalës, Lëvizja Vetëvendsoje, në vazhdimësi ka kritikuar emërimet e njerëzve me prapavijë politike nëpër institucione publike.

Depolitizimin e ndërmarrjeve publike e premtonte edhe kryetari i Vetëvendsojes, tani kryeministër, Albin Kurti.

“Ndërmarrjet publike duhet të udhëhiqen nga profesionistë të aftë, me integritet edhe personal e të cilët e kanë për qëllim zhvillimin e ndërmarrjes. Jo zhvillimin e interesave të ngushta, që mandej i bën ato ndërmarrje barrë për shtetin” – thoshte kryeministri Albin Kurti, në një video-mesazh më 12 shtator 2021  drejtuar qytetarëve kur u bënte thirrje profesionistëve që të aplikojnë në konkurset në ndërmarrjet publike.

“Me qeverisjen tonë kemi siguruar meritokraci e transparencë të plotë në proceset e rekrutimit në sektorin publik…” – vazhdonte Kurti.

Sekretar në LVV e në “Hidroregjionin Jugor”

Më 19 tetor 2023 kryesuesi i bordit të KRU “Hideroregjioni Jugor”, Feim Fetoshi, nënshkroi vendimin për zgjedhjen e Vetim Shalës sekretar të kësaj ndërmarrjeje.

Kryesuesi i bordit në një bisedë për KALLXO.com tha se nuk ishte në dijeni se Vetim Shala vjen nga partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje.

“Me të thënë të drejtën, ditën kur ka konkurruar dhe ditën kur e kemi marrë në intervistë, nuk e kam ditë, masanej e kam kuptuar…” – ka thënë ai.

“Është palidhje në konkurs me e pyet në cilën parti je… Jo që nuk e kam pyet po më duket shumë jologjike me e pyet, tregomëni ju mua a ka, ku ka njerëz në Kosovë që nuk janë anëtarë partie” – ka deklaruar Fetoshi, i cili vlerëson se zgjedhja e Vetim Shalës nuk ka ndonjë shkelje ligjore.

“Për siguri kam kërkuar nga zyra ligjore interpretim ligjor se a është pozita e sekretarit duke u mbështetë në atë nenin e zyrtarëve të lartë, më ka ardhur konfirmimi nga zyra ligjore, pozita e sekretarit në një degë partiake në komunë, nuk përkon me atë nen” – thotë ai.

Vetim Shala nuk kishte treguar para bordit të ndërmarrjes se është pjesë e partisë Lëvizja Vetëvendosje  e as që është sekretar në këtë parti, dega në Prizren.

“Bordi, të ju them të drejtën nuk është që në intervistë na ka pyet a je aty apo je këtu. Ne vetëm iu kemi nënshtruar procedurave të konkursit publik që ka qenë” – ka deklaruar ai në një bisedë për KALLXO.com.

Pozitën të cilën e mban në degën e LVV-së në Prizren, Shala nuk e kishte treguar as në CV-në e tij gjatë aplikimit në KRU “Hidroregjioni Jugor” në Prizren.

“Jo, në CV nuk e kam cekë që kam pozitë në parti sepse aty nuk ka pasë që është folë për këtë, aty vetëm për përvojë të punës” – tha ai.

Shala konfirmoi se para tre viteve kishte qenë kandidat për asamblist nga Vetëvendosje në Prizren, por nuk ishte zgjedhur ndërsa theksoi se ka një përvojë pesëvjeçare në një ndërmarrje publike lokale në Prizren, në zyrën ligjore.