Alban Ramabaja emërohet ushtrues detyre i drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës (MMPHI), Liburn Aliu, ka emëruar dje Alban Ramabajën ushtrues detyre të drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC).
Ish-drejtori i AAC-së, Bujar Ejupi, u shkarkua nga Qeveria e Kosovës më 23 tetor 2023.
Sindikata e punëtorëve të këtij institucioni i ishte gëzuar këtij shkarkimi, që ata e quajtën të vonuar. Sipas Sindikatës, ky vendim ka ardhur pas tre viteve të shkeljeve profesionale dhe keqmenaxhim të Bujar Ejupit.
Në njoftimin për emërimin thuhet se Ramabaja punon në aviacion që nga viti 2001.
“Alban Ramabaja është profesionist i fushës, me përvojë mbi 20 vjeçare në aviacion, me përgatitje akademike në inxhinierinë e komunikacionit dhe transportit si dhe kualifikime të shumta profesionale në fushën e aviacionit dhe transportit. Përvoja e tij në aviacion ka filluar nga viti 2001, në ANP “Adem Jashari” në pozita të ndryshme që lidhen me operimet e aeroplanëve në tokë, dhe si instruktor për disa trajnime profesionale, kurse 6 vitet e fundit, deri në vitin 2013 ishte menaxher i operimeve në platformë dhe shërbimeve për kargo” – njofton Autoriteti i Aviacionit Civil.
Nga viti 2013, sipas këtij njoftimi, Alban Ramabaja është angazhuar si inspektor i aerodromeve në AAC, dhe vitet e fundit edhe si këshilltar për aviacionin civil në kabinetin e MMPHI-së.
“Alban Ramabaja ka edhe përvojë ndërkombëtare në fushën e industrisë së aviacionit. Ai kishte rastin të marrë pjesë në Programin për Ekselencën Operacionale në ekipin këshillëdhënës për kompaninë “Saudi Ground Services – SGS” në Aeroportin Ndërkombëtar të Riadit, në Arabinë Saudite. Angazhimi i tij ka qenë kryesisht në analizimin dhe studimin e sistemeve operacionale dhe të sigurisë, si dhe proceseve të ndryshme të aeroportit për ofrimin e shërbimeve në tokë për aeroplanët, zhvillimin dhe përmirësimin e tyre, e po ashtu edhe në Master Projektin e aeroporti të ri, në fushën e planifikimit të infrastrukturës së këtij aeroporti” – tregohet më tej.
Për shkak të disa shkeljeve të pretenduara, bordi mbikëqyrës i Autoritetit të Aviacionit Civil kishte një vit që kërkonte nga Qeveria e Kuvendi që të shkarkohej Bujar Ejupi.
Po ashtu, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte anuluar vendimin Bujar Ejupit, për uljen në pozitë të Arianit Dobroshit, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të AAC-së (SPAAC).
Dobroshi ishte ulur nga pozita e “Zyrtar i lartë për bashkëpunim ndërkombëtar” në pozitën “Zyrtar për bashkëpunim ndërkombëtar” me vendim të drejtorit Ejupi.
Në anën tjetër, në fund të vitit 2022, Prokuroria e Prishtinës ka filluar të trajtojë rastin e emërimit të Bujar Ejupit në pozitën e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC).