Ilustrim: Aeroporti i Prishtinës - Foto: Aeroporti
Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” thyen rekord, regjistron udhëtarin e 3-miliontë këtë vit
Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës ka njoftuar se për herë të parë më 10 nëntor 2023 Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka arritur shifrën rekorde duke e shpërblyer udhëtarin e 3-miliontë gjatë një viti.
“Rekordi i arritur është shënuar me një ceremoni solemne të mbajtur në terminalin e ANP “Adem Jashari”, në të cilën mori pjesë edhe U.D. i Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së z. Alban Ramabaja, dhe ku kompania Limak, e cila menaxhon aeroportin, ka shpërblyer udhëtarin e 3 miliontë” – thuhet në njoftimin në Facebook.
Sipas njoftimit, shifra prej 3 milionë udhëtarësh është arritur për herë të parë brenda një viti që nga fillimi i funksionimit të Aeroportit të Prishtinës dhe në të padyshim ka ndikuar ofrimi i lehtësirave për kompanitë ajrore, ofrimi i infrastrukturës më të avancuar si dhe angazhimi i Aeroportit për të mbajtur kënaqshmërinë e udhëtarëve në nivelet më të larta.