Agani Ankohet se Prodhuesit e Ujit nuk Raportojnë në Ministri

Ministri i Ambientit Ferid Agani para Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike foli për gjetjet e auditorit në këtë ministri.

Komisioni shqyrtoi Raportinn e Auditorit për Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor në vitin 2014, ndërsa Agani siguroi anëtarët e këtij komisioni se ministria do t’i sdresojë gjetjet e auditorit për vitin e kaluar.

“Njëra prej problemeve serioze që kjo ministri u ballafaqu në vitin 2014 dhe ka vazhdu pastaj edhe në vitin 2015 ka qenë çështja e regjistrimit të pronave, të cilat kanë qenë subjekt i procedurave të shpronësimit në bazë të Ligjit për Shpronësim dhe vendimeve përfundimtare të qeverisë,”  tha ai.

Agani më tej u ankua se prodhuesit e ujit të ambalazhuar nuk raportojnë në minisri për prodhimet e tyre.

“Çështja e dytë ka të bëjë me operatorët që nuk raportojnë në ministri. Një problem mjaft specifik, i cili ka qenë subjekt i debateve publike dhe interpretimeve prej ma të ndryshmeve do të thotë kjo në radhë të parë për prodhuesit e ujit të ambalazhuar të cilët në bazë të ligjit kanë për obligim të raportojnë në ministri për prodhimin e tyre dhe në bazë të këtij prodhimi të deklaruar të bëhet nxjerrja e vendimeve përkatëse financiare, ngarkesa e tyre dhe kryerja e obligimeve ndaj shtetit,” tha ai.

Deputeti Adem Grabovci, anëtar i komisionit tha se në të ardhmen auditori duhet të ketë kujdes kur adreson gjetje për të cilat nuk është fajtore ministria.

“Kishte me qenë mirë nga auditori që t’i ketë parasysh në të ardhmen të paktën  disa adresime për të gjeturat. Mosangazhimi, neglizhenca e tjera, apo është mungesa e infrastrukturës ligjore, disa pengesa të tjera që po shihet qartë që nuk është faji i ministrisë,” tha ai.

Anëtarja tjetër e komisionit Synavere Rysha tha se gjatë kohës sa është punuar në vitin 2014 ka pasur disa parregullsi, ka pasur disa lëshime gjatë procedurave, por nga raportimi i ministrit sipas saj mjaft mirë është avancuar në vitin 2015.